I vjetër? Aspak! Udhëtimi i pafund i Modric-it, 35 shtete dhe 226 kundërshtarë në 20 vite. Tani synon një tjetër rekord

I vjetër? Aspak! Udhëtimi i pafund i Modric-it, 35 shtete dhe 226 kundërshtarë në 20 vite. Tani synon një tjetër rekord

10:34, 20/11/2026

Në moshën 41-vjeçare, Luka Modric vazhdon të sfidojë kohën dhe të shkruajë histori në futbollin europian. Mesfushori kroat i Milanit nuk ka ndërmend të ndalet dhe këtë fundjavë do të përballet me një kundërshtar të ri në karrierën e tij: Frosinonen, skuadrën e 227-të me të cilën do të luajë gjatë gjithë rrugëtimit të tij sportiv.

Pas 90 minutave të zhvilluara me Kroacinë në përballjen ndaj Republikës Çeke, Modric pritet të jetë sërish titullar të dielën në “San Siro”. Në më shumë se dy dekada karrierë, ai ka luajtur kundër 155 skuadrave të ndryshme me klubet dhe 72 kundërshtarëve me përfaqësuesen kroate. Megjithatë, deri më tani nuk ishte përballur kurrë me Frosinonen.

Karriera e tij është një udhëtim i vërtetë nëpër botë. Me fanellat e Zrinjski Mostarit, Inter Zapreshiqit, Dinamo Zagrebit, Tottenhamit, Real Madridit dhe Milanit, Modric është përballur me skuadra nga 35 shtete të ndryshme, nga Moldavia në Japoni, nga Azerbajxhani në Meksikë.

Edhe me kombëtaren kroate, ky udhëtim ka vazhduar për më shumë se 20 vite. Gjithçka nisi në vitin 2006, me ndeshjen kundër Argjentinës, ndërsa gjatë kësaj periudhe ai është përballur me përfaqësuese si Irani, Andorra, Koreja e Jugut dhe Kameruni. Kundërshtari i fundit ishte Republika Çeke.

Image

Mbi 1100 minuta në sezon

Pavarësisht moshës, Modric mbetet një nga futbollistët më të rëndësishëm të Milanit. Ai është ndër tetë lojtarët e skuadrës që kanë kaluar 800 minuta aktivizim në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë kampionatin dhe kupat.

Kroati ka luajtur 13 ndeshje me kuqezinjtë këtë sezon, 11 në Serie A, ku tetë herë ka qenë titullar, si dhe dy takime në Europa League, ku është aktivizuar nga stoli.

Me kombëtaren ka marrë pjesë në gjashtë ndeshje të Ligës së Kombeve, katër prej të cilave si titullar. Ndeshja kundër Spanjës, më 6 tetor, ishte menduar si paraqitja e fundit e tij me Kroacinë, por Modric u bind lehtësisht të vazhdonte aventurën me përfaqësuesen.

Nga 21 ndeshjet e mundshme që nga muaji gusht, ai ka luajtur në 19 prej tyre, duke regjistruar plot 1114 minuta në fushë.

Në kërkim të një tjetër rekordi

Përveç kontributit në lojë, Modric vazhdon të synojë edhe rekorde individuale. Ai ka shënuar tashmë me fanellën e Milanit në moshën 40 vjeç, 5 muaj e 4 ditë, në ndeshjen kundër Pisës, duke u renditur i treti në listën e golashënuesve më të moshuar në historinë e klubit.

Rekordin e dytë e mban Alessandro Costacurta, i cili shënoi në moshën 41 vjeç e 25 ditë, në ndeshjen e fundit të karrierës së tij me Milanin, kundër Udineses. Modric, i lindur më 9 shtator, ka mundësinë ta parakalojë.

Në krye të kësaj liste qëndron Zlatan Ibrahimovic, i cili shënoi kundër Udineses në moshën 41 vjeç, 5 muaj e 15 ditë. Një tjetër rekord që kroati mund ta synojë nëse vazhdon të jetë vendimtar edhe para portës kundërshtare.

Image

E ardhmja mbetet në duart e tij

Kontrata e Modric me Milanin përfundon në qershor të vitit 2027 dhe nuk përmban opsione të tjera për zgjatjen e saj. Megjithatë, marrëdhënia mes futbollistit dhe klubit shkon përtej marrëveshjeve financiare dhe kontraktuale.

Vendimin për të ardhmen do ta marrë vetë kroati, ashtu siç bëri edhe verën e kaluar, kur zgjodhi të vazhdonte karrierën në Milano. Një vendim që e mori edhe pse familja e tij është rikthyer në Madrid, ndërsa ai ka qëndruar vetëm në Itali.

Dashuria për futbollin dhe respekti për Milanin e kanë bindur të vazhdojë këtë aventurë. Edhe tifozët kuqezinj ia kanë shpërblyer me duartrokitje dhe vlerësim sa herë që zbret në fushën e “San Siros”.

Se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm, mbetet për t'u parë. Modric do të mbushë 42 vjeç, klasi i tij do të mbetet i paprekur nga koha, por lodhja fizike dhe largësia nga familja mund të ndikojnë në vendimin për vazhdimin e karrierës. Një gjë është e sigurt: kroati vazhdon të dëshmojë se mosha është vetëm një numër.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco