Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se me vendimin e miratuar pas mesnatës, për 60 ditë mund të ketë ndërprerje të energjisë në çdo kohë dhe vend, duke e cilësuar këtë si arsyetim institucional për reduktimet.

Sipas saj, vendimi parasheh edhe obligimin që ndërmarrja Ibër-Lepenc të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i saj i instaluar është vetëm rreth 30 megavat.

“Mbrëmë, pas mesnatës, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, LVV-ja votoi vendimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë - kjo është domethënia e masave emergjente në sektorin e energjisë.

Tash, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim. Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike.

Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MW. Tash mendojeni vetë sa mundet me u përmirësu gjendja me 30 MW.

Ky vendim mbi të gjitha vlen:

- Për t’i arsyetuar reduktimet,

- Për blerjen e energjisë elektrike, duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik,

- Për kontraktimin e kompanive për investime e remonte në KEK, pa procedurat e zakonshme të prokurimit,

Mos të harrojmë, masat emergjente për furnizim me energji u shpallën për herë të parë më 21 dhjetor 2021. Gati pesë vjet më vonë, ende po qeverisin me masa emergjente.

Ndërkohë:

- Nuk ka kontrata afatgjata për blerje të energjisë.

- Remontet kanë dështuar dhe kontratat janë lidhur shumëfish më shtrenjtë.

- Strategjia e Energjisë nuk po zbatohet.

- Nuk janë ndërtuar kapacitete të reja gjeneruese.

Ka vetëm një zgjidhje: kapacitete të reja gjeneruse. Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet, shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës s'ka me i përballu faturat e energjisë”, ka shkruar Bajrami.