Dosja e Elisabeta Matajt kalon në GJKKO, avokati Ilia: Prokurori mungoi në seancë, shkelje e hapur e ligjit

20/11/2026 10:43

Ditën e sotme, Gjykata e Durrësit ka shpallur moskompetencën për shqyrtimin e kërkesës së mbrojtjes së ish-drejtoreshës së filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj. Kjo e fundit kishte kërkuar informacion mbi ecurinë e hetimeve dymujore, si dhe zëvendësimin e masës së sigurisë.

Në sallën e gjyqit nuk u paraqit prokurori Garment Frëngu, ku sipas avokatit të Matajt, është një shkelje e hapur e ligjit.

“Ne bëmë një kërkesë për informacion dy mujor në lidhje me çështjen dhe në bazë të rezultatit që do dilte nga hetimi i këtij informacioni dy mujor, kërkonim zëvendësimin e masës së sigurisë të “Arrestit të shtëpisë” me një masë më të lehtë. Në seancë gjyqësore mungoi prokurori, në shkelje të hapur të ligjit dhe kishte njoftuar Gjykatën me shkresën me të cilën ka shoqëruar aktet, pra vendimin e shpalljes së moskompetencës dhe dërguar në SPAK.

Seanca nuk ishte e rregullt sepse nuk mund të zhvillohet pa prokuror. Gjykata u mjaftua me shkresën dhe mori vendim të ndërmjetëm të shpalljes së moskompetencës dhe të kalimin e akteve në Gjykatën e Posaçme Shkallës së Parë, kundër krimit dhe korrupsionit.

Ne kundërshtuam sepse duhej të ishte prokurori. Ne mbrojtësit ligjor duhej të ishim në dijeni dhe të mbanim qëndrimet përkatëse. Moskompetenca e prokurorit është qarkulluar gojarisht në media, por nuk kemi asnjë akt të njoftuar. Pavarësisht se prokurori shpall moskompetencën, do të duhet të vërtetohet dejuro që SPAK e ka regjistruar këtë procedim”, tha Ilia Ilia për mediat pas seancës gjyqësore.

I pyetur se cili do të jetë hapi i mëtejshëm, avokati tha se do të shkojnë në SPAK, të shohin nëse Gjykata e Posaçme e ka regjistruar çështjen.

“Të shohim zhvillimin, ku është procedimi në këtë fazë. Është atje, a ka regjistrim. Kjo është e gjitha”, tha Ilia Ilia.

Top Channel