Kuvendi i Kosovës shpall masa emergjente për energjinë, do të jenë në fuqi për 60 ditë

20 Nëntor 2026 | 10:54

Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë.

Vendimi mori mbështetjen e 61 deputetëve, ndërsa kjo pikë u përfshi në rendin e ditës përmes një mocioni, gjatë seancës që vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të së premtes.

Sipas masave të miratuara, ndërmarrja “Ibër-Lepenci” obligohet të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.

Po ashtu, parashihet themelimi i një Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të ketë rol në trajtimin e situatës së krijuar në sektorin energjetik.

Vendimi pati dhe kundërshtime nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, kërkoi dorëheqjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke e bërë përgjegjëse për krizën energjetike në vend.

Kritika pati edhe nga deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, e cila kundërshtoi qasjen e Qeverisë ndaj sektorit të energjisë dhe mënyrën e rregullimit të këtij tregu.

Ndërkohë, Kuvendi miratoi në parim edhe Projektligjin për Rregullatorin e Energjisë, me 61 vota për. Votimi u zhvillua rreth orës 00:45, pasi edhe kjo pikë ishte përfshirë në rendin e ditës përmes mocionit.

Gjatë diskutimit, Ymeri kritikoi projektligjin, duke pretenduar se tregtarët e energjisë kanë ndikim mbi rregullatorin dhe se ndryshimet ligjore janë bërë vetëm për të përmbushur kërkesat e paketës evropiane.

Me 61 vota për, deputetët miratuan në lexim të parë edhe Projektligjin për Efiçencën e Energjisë, ndërsa votimi për këtë pikë përfundoi rreth orës 01:15.

Pas orës 02:00, Kuvendi miratoi në lexim të parë edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, me 62 vota për, 8 kundër dhe një abstenim. Ky projektligj u kundërshtua nga deputetët e Listës Serbe.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Gjashtë pjesëtarë të FSK-së përfundojnë trajnimet në Forcat e Armatosura të Shqipërisë

Gjashtë nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses trajnimet profesionale në Qendrën e Përgatitjes Profesionale të Nënoficerëve në Forcat e...
09:12 | 20/11/2026

Dita e tretë në Kosovë, Jakup Krasniqi rikthehet në shtëpi nën masa të shtuara sigurie

Jakup Krasniqi është rikthyer sërish në shtëpinë e tij në Prishtinë, pas qëndrimit në selinë e EULEX-it. Ai ishte marrë nga shtëpia dje, rreth orës...
09:05 | 20/11/2026

Kuvendi i Kosovës miraton në parim buxhetin prej 4.27 miliardë eurosh për vitin 2027

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, pas një debati të gjatë mes pushtetit dhe...
08:53 | 20/11/2026