Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë tonë nga tetë shtetas shqiptarë, të cilët thonë se prej javësh ndodhen në Kampin e eMalesës (Midalesa) në Athinë, në Greqi, ku po përballen me kushte shumë të rënda jetese dhe mungesë të plotë të ndihmës institucionale.
Sipas dëshmisë së njërit prej tyre, në kamp ka persona që presin prej një, dy apo edhe tre muajsh për t'u kthyer në Shqipëri, pa marrë asnjë përgjigje konkrete nga autoritetet përkatëse.
“Na trajtojnë si kafshë. Jemi tetë shqiptarë dhe nuk dimë më çfarë të bëjmë. Brenda kampit ka pleshta, minj dhe papastërti. Kushtet janë ekstreme. Kemi edhe infeksione në trup, por nuk na japin as ilaçe dhe as ndonjë ndihmë mjekësore”, rrëfen qytetari në mesazhin drejtuar redaksisë.
Ai thotë se, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të kontaktuar Ambasadën Shqiptare në Athinë, nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Kam një orë që telefonoj ambasadën dhe askush nuk përgjigjet. Nuk kërkojmë asgjë të veçantë. Kërkojmë vetëm që ambasada jonë të na ndihmojë dhe të kontaktojë autoritetet greke, në mënyrë që të mund të kthehemi në Shqipëri”, shprehet ai.
Sipas denoncimit, disa prej shqiptarëve kanë dokumentet e udhëtimit me vete dhe janë të gatshëm t'i paguajnë vetë biletat e kthimit, por thonë se nuk po u jepet mundësia të largohen.
Njëri prej tyre thotë se ka pasaportën në xhep dhe mund ta blejë vetë biletën, por nuk po merr një përgjigje se përse nuk lejohet të kthehet në atdhe.
Në dëshminë e tij ai flet edhe për kufizim të lëvizjes, mungesë ushqimi të përshtatshëm dhe mungesë të çdo forme mbrojtjeje konsullore.
Qytetari ngre edhe shqetësimin për përgjegjësinë e institucioneve shqiptare, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë dhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Thirrja e tyre është e qartë:
“Jemi shtetas shqiptarë. Nuk kërkojmë privilegje, nuk kërkojmë para dhe asgjë tjetër. Duam vetëm të na ndihmojë ambasada jonë, të flasë me autoritetet greke dhe të na mundësojë kthimin në Shqipëri. Nuk mund të na lënë të vuajmë kështu, pa përgjigje dhe pa asnjë mbrojtje.”
Redaksia jonë u bën thirrje institucioneve shqiptare, Ambasadës së Shqipërisë në Athinë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që të verifikojnë urgjentisht këtë denoncim dhe të marrin masa për të sqaruar situatën e këtyre shtetasve.
Askush nuk duhet të mbetet pa ndihmë dhe pa mbrojtje nga shteti i tij, veçanërisht kur po përballet me kushte të tilla jetese në një vend të huaj.