Një alarm për praninë e mundshme të dronëve shkaktoi mbylljen e përkohshme të Aeroportit “Cristoforo Colombo” në Xhenova të Italisë, mbrëmjen e djeshme.
Në orën 20:10 u vendos ndalimi i fluturimeve në hapësirën ajrore përreth aeroportit, pasi u raportua prania e mundshme e dronëve në lindje dhe në perëndim të pistës.
Si pasojë, një fluturim i kompanisë ITA Airways me destinacion Romën, në aeroportin Fiumicino, mbeti i bllokuar në pistë, pa marrë lejen për ngritje. Pasagjerët u zbritën nga avioni dhe më vonë u rikthyen në bord.
Pas kryerjes së të gjitha kontrolleve dhe marrjes së miratimit nga ENAV, kufizimet u hoqën pak pas orës 22:00. Alarmi rezultoi i pabazuar dhe situata u normalizua pa pasoja të mëtejshme për aeroportin dhe pasagjerët.