Një objekt i paidentifikuar ka rënë në lindje të Polonisë, pranë fshatit Chmielek, në rajonin e Lublinit, gjatë sulmeve masive me raketa dhe dronë që Rusia ndërmori ndaj Ukrainës mëngjesin e së premtes, përcjell Euronews.
Sipas Komandës Operacionale të Forcave të Armatosura polake, dyshohet se gjatë sulmeve mund të jetë shkelur hapësira ajrore e vendit. Autoritetet po verifikojnë të dhënat e radarëve dhe rrethanat e incidentit për të përcaktuar origjinën e objektit.
Pas raportimeve për incidentin, Polonia angazhoi avionë ushtarakë në hapësirën e saj ajrore dhe aktivizoi sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore. Sipas ushtrisë, këto masa ishin parandaluese dhe synonin garantimin e sigurisë së hapësirës ajrore polake.
Një ekip kërkim-shpëtimi i Forcave të Mbrojtjes Territoriale pritet të angazhohet në zonë, ndërsa hetimet për identifikimin e objektit vijojnë.
Sipas policisë, objekti mori flakë pas rënies. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar. Në vendngjarje ndodhen efektivë të policisë dhe zjarrfikësit.
Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk bëri të ditur se kishte thirrur një takim me ministrat, përfaqësues të forcave të armatosura dhe drejtues të shërbimeve të inteligjencës, në përgjigje të shkeljes së dyshuar të hapësirës ajrore të vendit.