Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike miratoi këtë të premte, më 20 nëntor 2026, nen për nen dhe në tërësi, projektligjin “Për buxhetin e vitit 2027”, si dhe projektligjet e paketës fiskale që e shoqërojnë atë.
Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e kryetarit të Komisionit, Ulsi Manja. Gjatë saj, Manja u kërkoi relatorëve që në relacionet përkatëse të përfshijnë edhe kërkesat dhe amendamentet e miratuara gjatë shqyrtimit të projektligjeve.
Përveç projektbuxhetit për vitin 2027, Komisioni shqyrtoi dhe miratoi edhe ndryshimet në pesë ligje që lidhen me paketën fiskale, konkretisht në legjislacionin për procedurat tatimore, taksat kombëtare, akcizat, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimin mbi të ardhurat.
Projektbuxheti dhe paketa fiskale vijojnë tashmë procedurat parlamentare, për t’u miratuar përfundimisht në Kuvend.