Java e Alfabetit në Lezhë, nxënësit dhe studentët njihen me historinë e Kongresit të Manastirit

Aktualitet | 7 minuta më parë

Në kuadër të Javës Jubilare kushtuar Ditës së Alfabetit, në Bibliotekën “Gjergj Fishta” në Lezhë u zhvillua një aktivitet tematik, ku morën pjesë nxënës të shkollave dhe studentë. Përmes materialeve të përgatitura, të rinjtë diskutuan mbi historinë e alfabetit shqip, rrugëtimin e tij dhe rëndësinë që ka për gjuhën dhe identitetin kombëtar.

Përgjegjësi i Bibliotekës “Gjergj Fishta”, Paulin Zefi, u shpreh se aktivitete të tilla kanë si qëllim të rikthejnë në vëmendje ngjarjet e rëndësishme historike dhe t’i përcjellin ato te brezat e rinj.

“E bëjmë këtë aktivitet në mënyrë se të evidentojmë rëndësinë e kësaj ngjarje historike, pra të Kongresit të Manastirit, historikun përpara se të mbërrijmë te Kongresi i Manastirit në 1908-ës, dinamikën e zhvillimit të punimeve në kongresin e Manastirit nga data 14 nëntor deri në datën 22 nëntor të vitit 1908 dhe po ashtu pjesëmarrësit, delegatët që kanë marrë pjesë, debatet që ka pasur mes tyre edhe shumë elementë të tjerë në mënyrë se jo vetëm nxënësit që kanë përgatitur këto tema, por edhe miqtë e tyre, kolegët e shokët e klasës të njihen me detaje të ndryshme të historikut të Kongresit të Manastirit”, deklaroi Paulin Zefi, përgjegjës i Bibliotekës “Gjergj Fishta”, Lezhë.

Përmes aktiviteteve të tilla synohet që historia e alfabetit shqip të mbetet pjesë e kujtesës së brezave si dhe të rinjtë te njihen më nga afër me vlerat dhe rëndësinë e gjuhës shqipe në formësimin e identitetit tonë kombëtar.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme