Skënderbeu që vjen pas një momenti pozitiv në kampionatin shqiptar, sidomos pas fitores me Dinamon, hap sot javën e 12 të kampionatit, teksa pret në Korçë në orën 16:00 Egnatian. Rrogozhinasit kampionë në fuqi kanë krijuar një distancë me ndjekësit në krye të Superligës, por fillimisht duan 3 pikët në Korçë dhe më pas të mendojnë në mesjavë për sfidën e Conference League.

“Nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi dhe është shumë domethënëse. Është një ekip me traditë dhe shumë histori në 20 vitet e fundit në futbollin tonë. Do shkojmë atje pa arrogancë, por me përgjegjësinë maksimale që të arrijmë objektivat që në kemi,"-tha trajneri i Egnatias Nevil Dede.

“Duhet të bëjmë lojën tonë, duke dhënë maksimumin, që tifozët tanë të ndiejnë kënaqësin e një skuadre që lufton në fushën e lojës,”-u shpreh trajneri i Skënderbeut Julian Ahmataj.

Dueli tjetër i së premtes është Elbasani-Dinamo në orën 18:30. Ky do të jetë një duel mes babë e bir, pasi Glen Daja është trajner i Elbasanit dhe Ilir Daja i Dinamos, por ky i fundit do të mungojë pasi është i pezulluar. Megjithatë ‘nëndetësja’ duhet të kthehet sa më shpejt te fitoret pasi në 4 ndeshjet e fundit ka vetëm 1 barazim dhe 3 humbje. Sakaq edhe te Elbasani nuk duan të bëjnë kompromis me fitoren.

“Dinamo është një kundërshtar i fortë, me shumë cilësi dhe eksperiencë. Duhet të luftojmë për 3 pikët se në ndeshjen e fundit nuk i morëm dhe duhet ti rikuperojmë,”-deklaroi Atdhe Mazari, futbollist i Elbasanit.

Java e 12 e Superligës vijon të shtunën me duelet Teuta-Laçi dhe Partizani-Vllaznia, ndërsa mbyllet të dielën me ndeshjen Vora-Tirana.