Momente paniku në Meksikë, avioni përplaset pranë autostradës, përfshihet nga flakët

20/11/2026 11:31

Një avion i vogël është rrëzuar pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Monterrey-t në Meksikë, duke përfunduar pranë një autostrade të frekuentuar dhe duke u përfshirë nga flakët.

Mediat e huaja shkruajnë se, pavarësisht përplasjes dhe zjarrit, të gjashtë personat që ndodheshin në bord kanë arritur të shpëtojnë, duke pësuar vetëm lëndime të lehta.

Ngjarja ndodhi më 18 nëntor, rreth orës 13:50 me orën lokale. Sipas raportimeve paraprake, avioni i tipit “Piper Malibu 46” pësoi probleme me fuqinë e motorit, doli nga pista e aeroportit, përplasi një gardh dhe përfundoi pranë autostradës Monterrey–Nuevo Laredo, në zonën e Apodaca-s.

Avioni, i operuar nga kompania Casago, ishte nisur drejt Atizapanit, pranë kryeqytetit meksikan, Mexico City. Në bord ndodheshin katër pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë për të vënë nën kontroll flakët që përfshinë avionin.

Ndërkohë pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë avionin të rrethuar nga zjarri, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi të zi ngriheshin mbi autostradë.

Përplasja shkaktoi ngadalësim të qarkullimit në këtë aks rrugor, ndërsa drejtuesit e automjeteve kalonin pranë vendit ku kishte ndodhur aksidenti. Fatmirësisht, të gjashtë personat në bord arritën të dilnin nga avioni dhe të shpëtonin me lëndime të lehta.

Top Channel