Pas publikimit në JOQ Albania të pamjeve ku një i moshuar shfaqej duke goditur disa herë me rrip një qen, në rrugën “Arkitekt Sinani” në Tiranë, ka ardhur reagimi i Policisë së Tiranës.
Policia bën me dije se, pas publikimit të rastit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë kryer veprimet hetimore dhe kanë bërë të mundur identifikimin e personit që shfaqej në video.
Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale janë referuar në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit Sh. R., 73 vjeç, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”.
Rasti u denoncua në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar, i cili dërgoi pamjet ku i moshuari shihej duke goditur kafshën me rrip, ndërsa e mbante të kapur pranë hyrjes së një oborri.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.