Në epokën e inteligjencës artificiale, rastësitë fatlume nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme
Nga RebeccaWatson - FT
Ndoshta ishte çështje momenti, ndodhesha në Margate, ku po punoja për romanin tim të tretë, por javën e kaluar u ndjeva e entuziazmuar kur u përballa me faktin se edhe artistët më të mirë ndonjëherë heqin dorë. Në qendrën e artit bashkëkohor TurnerContemporary, në këtë qytet bregdetar, zbulova një sallë tërësisht kushtuar ideve të braktisura. Ekspozita “Katalogu i plotë i veprave të papërfunduara”, nga artistja konceptualeSophieCalle, përmbys mënyrën zakonisht serioze dhe akademike të dokumentimit të karrierës së një artisti. “Kur të vijë fundi i jetës sime, çfarë do të ndodhë me të gjitha idetë që nuk çuan askund?”, thotë Calle për këtë projekt. “Vendosa të inventarizoj skicat, përpjekjet dhe projektet e braktisura. T'u jap jetë synimeve të mia.”
Dështimet dhe gabimet zakonisht fshihen, por këtu Calle i ekspozonte hapur të gjitha rastet kur kishte hequr dorë. Çdo ide përshkruhej në një dokument shpjegues, shoqëruar me një fotografi dhe rezultatin përfundimtar. Mbi secilën prej tyre ishte vendosur një vulë e kuqe me verdiktin përfundimtar, sikur çështja të ishte mbyllur. “HUMBA INTERESIN”, thuhej në njërin prej projekteve. Calle kishte rikrijuar takimet e para të çifteve, duke qëndruar në vendin ku ata ishin njohur, në të njëjtën ditë dhe orë, për të parë nëse fati do t'u buzëqeshte për herë të dytë. “Nuk ndodhi asnjë mrekulli dhe, gjithsesi, sapo nisa projektin, humba interesin për çiftin.” Projekte të tjera përfundonin me vlerësimet “I PANEVOJSHËM”, “I TMERRSHËM”, “Ç'KUPTIM KA?”, “KTHESË E GABUAR” dhe “JO ENTUZIAZMUES”.
Disa ide ishin të pamundura për t'u realizuar ose paraqisnin vështirësi të mëdha logjistike, ndërsa të tjerat ishin thjesht të këqija. Megjithatë, leximi i tyre ishte njëkohësisht argëtues dhe nxitës për ide të reja. Të kuptosh se kur duhet të heqësh dorë është një formë urtësie. Ndonjëherë duhet t'i thuash lamtumirë një ideje të pranueshme, për t'i lënë vend diçkaje më të mirë. Nuk po mendoj të dorëzohem me romanin që po shkruaj tani, por presioni bëhet më i vogël kur përqendrohem te vlera e të shkruarit në vetvete, pavarësisht rezultatit. Dikur e kam braktisur një libër, por ende e shoh atë shkrim të papërfunduar si një urë drejt romanit të radhës: më ndihmoi të përmirësoja stilin tim, të qartësoja temat që më preokupojnë dhe të afrohesha një hap më shumë me atë që kërkoja. Është domethënëse se mund të gjesh lidhje mes ideve të dështuara të Calle-s dhe atyre që patën sukses. Idetë lidhen me njëra-tjetrën, nuk janë të shkëputura.te
Çfarë ndodhi me vlerën e procesit krijues? Nxitja për përdorimin e inteligjencës artificiale mund të jetë efikasiteti, por kur bëhet fjalë për një detyrë krijuese, përdorimi i një rruge të shkurtër të privon nga mësimet që mund të nxjerrësh gjatë procesit. Çuditërisht, librat më të vlefshëm për mua kur shkruaj janë shpesh ata që nuk më pëlqejnë ose që kanë gabime. Arti i mirë ka gjithmonë një element misteri, por është më e lehtë të kuptosh pse diçka nuk funksionon. Kjo më ndihmon të dalloj se çfarë do të bëja ndryshe. Gabimet dhe papërsosmëritë të japin mundësinë të shohësh nga afër mekanizmat e metodës së punës së dikujt tjetër.
Pas suksesit fshihet një shkëlqim i rremë, që mbulon vështirësitë, dështimet dhe anët e shëmtuara të procesit.
Të gjithë artistët marrin vendime të gabuara ose krijojnë vepra që nuk pëlqehen nga të gjithë, por disa e përballojnë kritikën më mirë se të tjerët. Regjisori TaikaWaititi deklaroi në tetor, me një emocion të dukshëm: “Le të mendojmë pak për ata shpirtra të trishtuar e të humbur që nuk arritën të realizonin ëndrrën për t'u bërë artistë dhe, për këtë arsye, u pajtuan me një jetë tjetër dhe u bënë kritikë.” Ai po reagonte ndaj komenteve negative për përshtatjen filmike të romanit “Klaraand the Sun”. Vërejtja e tij përçmuese tingëllon si një kundërpërgjigje e hidhur ndaj kritikëve. Përballë kritikave, është e vështirë të mos reagosh menjëherë në mënyrë mbrojtëse, veçanërisht kur kritiku prek një pikë të dobët dhe nxjerr në pah një frikë apo pasiguri që e ke pasur edhe më parë. (Ndryshe nga Waititi, unë nuk komentoj për vlerësimet që marr për punën time, por ato sigurisht që më ngjallin një gamë të gjerë emocionesh.)
Komentet e Waititi-t janë krejt të kundërta me qëndrimin e regjisorit AaronSorkin, i cili tha se ishte zgjedhja e dytë e vetes për të realizuar vazhdimin e filmit të tij “The Social Network”, me titull “The Social Reckoning”, i cili u shfaq muajin e kaluar dhe mori vlerësime të vakëta nga kritikët. “Një pjesë e madhe e imja ndihet sikur ka hyrë në industrinë e filmit vetëm para pak minutash dhe se ka ende shumë gjëra që nuk i di”, pranon ai. “Kam shumë frikë se disa nga aspektet e regjisurës në të cilat nuk jam i zoti janë pikërisht ato që nuk mund të mësohen... Nuk kam aspak ndjeshmëri vizuale.”
Intervistat dhe daljet publike të artistëve zakonisht karakterizohen nga vetëlavdërimet, ndaj ishte kënaqësi të shihje Sorkinin që pranonte me kaq qetësi të metat e veta. Pas suksesit fshihet një shkëlqim i rremë, që mbulon vështirësitë, dështimet dhe anët e shëmtuara të procesit. Marrëdhënia ime me punën time lidhet ngushtë me numrin e kthesave të gabuara që kam marrë gjatë shkrimit. Edhe pse lexuesi nuk i sheh këto shtresa, për mua ato mbeten si njolla, sikur vetëm frymëzimi i çastit të ishte mënyra e vetme autentike për të krijuar. Por pranimi i të metave nuk është shenjë dobësie. Përkundrazi, ai tregon një forcë të brendshme: vetëdijen se talenti yt mund t'i përballojë edhe rrëfimet për mangësitë e tua.
Për më tepër, dyshimet dhe hapat e gabuar janë mënyra për t'u përmirësuar. Gabimet mund të të çojnë drejt gjërave të mëdha. Fotografja viktorianeJuliaMargaretCameron përfshinte në punët e saj njollat kimike dhe mungesën e fokusit, duke i shndërruar ato në elemente me efekt të veçantë artistik. Po kështu, është e vështirë të besohet se AlexanderFleming është penduar që e la provëzën të hapur përpara se të nisej me pushime. Historia është plot me raste kur gabimet kanë sjellë rezultate të jashtëzakonshme, me zbulime gjeniale që kanë ardhur falë këmbënguljes dhe gatishmërisë për të eksploruar të panjohurën. Ndoshta kjo është arsyeja pse salla e Calle-s, e mbushur me përpjekje të braktisura, ishte kaq frymëzuese: ajo dëshmonte se shpesh gabojmë gjatë rrugës për të gjetur zgjidhjen e duhur./ FT – Syri.net/
© SYRI.net