Analiza e CNN: Takimi trepalësh me Trump, fitore për Xi dhe Putin në rrugën drejt një rendi të ri botëror Nuk ishte thjesht një mundësi për të bërë fotografi. Takimi në Shenzhen mes Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin, gjatë samitit të APEC-ut (Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor), do të mbetet në kronikat historike, ndoshta edhe në vetë historinë, si një moment me rëndësi thelbësore. Udhëheqësit e tri fuqive të para bërthamore të planetit, dy autokratë dhe një president amerikan që admiron disa prej karakteristikave të dy të tjerëve, shpallin disa parime që, sipas mënyrës së tyre të të menduarit, janë “revolucionare”.
Pa dyshim, katër pikat e deklaratës së përbashkët janë të tilla, për aq sa ato lënë të kuptohet krijimi i një sistemi ndërkombëtar të mbështetur mbi norma thellësisht të ndryshme nga ato të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore dhe madje edhe të periudhës pas Luftës së Ftohtë.
Komunikata e tre liderëve në Shenzhen, edhe pse nuk përmend emra konkretë, përcjell mesazhe të qarta: në thelb, ajo e braktis Ukrainën, dobëson Evropën, delegjitimon multilateralizmin dhe paralajmëron krijimin e një bote ku fuqitë e mëdha vendosin sipas dëshirës së tyre dhe, siç shprehej historiani grek Tukididi, “të dobëtit pësojnë atë që janë të detyruar të pësojnë”.
Po përse deklarata e Shenzhenit e braktis Ukrainën?
Pika e dytë e tekstit të miratuar nga tre liderët e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë tingëllon menjëherë si një legjitimim i qëllimshëm i fundit të sanksioneve ndaj naftës ruse («të tre vendet planifikojnë të rrisin furnizimin me produkte të rafinuara, në të mirë të të gjitha kombeve»), si dhe i sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse (të tre liderët «ritheksojnë rëndësinë e flukseve të qëndrueshme të energjisë»).
Mbetet për t’u kuptuar nëse theksimi i “rëndësisë së flukseve të qëndrueshme të energjisë”, i nënshkruar edhe nga presidenti kinez Xi, përfaqëson gjithashtu një distancim të Pekinit nga aktivitetet ushtarake të Iranit për të penguar qarkullimin e anijeve cisternë të naftës nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Ajo që është e sigurt është se, menjëherë pas deklaratës së Shenzhenit, çmimet e produkteve të rafinuara, si nafta dizel (me 0,9%) dhe nafta e papërpunuar për industrinë petrokimike (me 2,2%), pësuan rënie. Kjo ndodhi sepse Kina zotëron rafineri të rëndësishme dhe Xi u duk se mori përsipër angazhimin për të furnizuar edhe pjesën tjetër të botës.
Por përse takimi në Shenzhen i kthen shpinën multilateralizmit dhe Evropës?
Pika e tretë e deklaratës synon të delegjitimojë Gjykatën Penale Ndërkombëtare “dhe organizma të tjerë të ngjashëm”, duke argumentuar se imuniteti i përfaqësuesve të shteteve “është i një rëndësie vendimtare”.
Gjykatat ndwrkokombëtare, thonë tre liderët, “nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre”. Kështu, Putini është i mbrojtur, por po ashtu edhe Netanyahu, i cili ndodhet gjithashtu nën hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për mënyrën se si Izraeli e ka zhvilluar luftën në Gaza.
Në thelb, sipas udhëheqësve të Amerikës, Kinës dhe Rusisë, instrumenti përmes të cilit Evropa është përpjekur të ushtrojë politikën e saj të jashtme nuk ka më vlerë. Për Xi, Trump dhe Putin, organizatat shumëpalëshe dhe e drejta ndërkombëtare nuk vlejnë më asgjë.
Ky përbën një kthim tetëdhjetë vjet pas në kohë, në raport me arritjet që pasuan Luftën e Dytë Botërore dhe që u bënë pjesë e trashëgimisë juridike ndërkombëtare përmes gjyqeve të Nurembergut, proceseve gjyqësore në Izrael kundër kriminelëve nazistë dhe gjykimeve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare ndaj udhëheqësve serbë për krimet e kryera gjatë luftërave që pasuan shpërbërjen e Jugosllavisë.
Por pikërisht mbi këto parime është ndërtuar Evropa: e drejta ndërkombëtare, të drejtat universale të njeriut dhe legjitimiteti i organizmave ndwrkombëtarë apo shumëpalësh për të garantuar respektimin e këtyre parimeve.
Për Trumpin, Putinin dhe Xi-n, përkundrazi, vlen vetëm fuqia e shteteve dhe e drejta e sundimtarëve të tyre për të mos dhënë llogari për krimet e tyre, edhe ato të luftës, nëse kryhen në atë që konsiderohet si interesi më i lartë i shtetit.
Ja pra, ky është një rikthim i thellë në shekullin XIX
Për më tepër, liderët flasin për një “reformë të OKB-së”. Por, duke u nisur nga këto premisa, ka shumë gjasa që ata të mendojnë për krijimin e një forumi të fuqive të mëdha, ku asnjë shtet evropian, i marrë veçmas, nuk do të kishte sot vend.
Pra, jo për krijimin e një organi të ri shumëpalësh, të hapur dhe të organizuar sipas modelit të funksionimit që karakterizon sot institucionet evropiane.
Marrë nga Corriere Della Sera.
Top Channel