Modelja holandeze e OnlyFans, Vera Dijkmans është ndaluar nga autoritetet amerikane të emigracionit (ICE), pasi mbërriti me avion nga Miami në Newark më 11 nëntor. 29-vjeçarja u shoqërua në qendrën e paraburgimit “Delaney Hall” në New Jersey, ndërsa familjarët e saj thonë se ende nuk kanë marrë një shpjegim të qartë për arsyet e ndalimit.
Rasti ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të deklaratave të familjes, e cila pretendon se modelja po përballet me kushte të vështira në ambientet e ndalimit. Nëna e saj, Marianne Scholt udhëtoi drejt SHBA-së për të qëndruar pranë së bijës dhe tregoi se e gjeti atë në gjendje të rënduar emocionale. “Vera ishte në lot dhe mezi e njoha me rrobat e burgut”, u shpreh ajo.
Sipas familjarëve, Dijkmans është ankuar për ushqimin me cilësi të dobët, higjienën e papërshtatshme dhe kushtet e vështira të fjetjes. Motra e saj, Iza Dijkmans deklaroi se modelja ndan dhomën me 12 persona të tjerë, ndërsa krevati ku fle është jashtëzakonisht i parehatshëm. Ajo pretendon gjithashtu se e motra nuk ka parë dritën e diellit për gjashtë ditë, pasi dritaret e ambientit janë të mbyllura.
Familja thotë se komunikimi me të është kufizuar ndjeshëm. Sipas tyre, aktualisht ajo mund të kryejë telefonata vetëm 5-minutëshe, ndërsa në qendër ka vetëm katër telefona për rreth 60 të ndaluar. Telefonin personal ia kanë marrë dhe familjarët mund të kontaktojnë me të vetëm përmes telefonatave nga qendra.
Nëna e modeles ka treguar për mediat holandeze se e bija ndodhej në SHBA me vizë turistike, e cila nuk lejon ushtrimin e aktivitetit të punës gjatë qëndrimit. Megjithatë, rrjetet e saj sociale përmbajnë materiale të shumta të krijuara për ndjekësit. Dijkmans ka rreth 6 milionë ndjekës në Instagram dhe afro 875 mijë në OnlyFans.
Sipas familjes, ajo kishte udhëtuar drejt New York për të marrë pjesë në një aktivitet të UFC-së dhe për të krijuar përmbajtje me sportistë. Nëna e saj pranoi gjithashtu se Dijkmans kishte humbur një takim lidhur me aplikimin për kartën e qëndrimit të përhershëm, pasi udhëtonte shpesh dhe qëndronte kryesisht në hotele, jo në adresën e saj të regjistruar.
Familjarët pretendojnë se ajo nuk kishte marrë njoftimin për një seancë gjyqësore, mungesa në të cilën mund të ketë ndikuar në situatën e saj të emigracionit. Ata thonë se kanë kontaktuar edhe një avokat dhe ambasadën holandeze në SHBA, por deri tani nuk kanë arritur të sigurojnë zgjidhje.

