Një skemë mashtrimi e mirëfilltë, ku përdorej identiteti i kreut të qeverisë për të përfituar shuma marramendëse, është goditur nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Request”.
Në pranga ka rënë një 25-vjeçar me inicialet A. M., banues në kryeqytet, i cili akuzohet se ka tentuar të mashtrojë oligarkun 54-vjeçar, Ardi Kollçaku, duke i kërkuar plot 1 milion euro.
Sipas të dhënave hetimore, i riu kishte kontaktuar biznesmenin përmes aplikacionit të koduar “Signal”.
Duke u shtirur si kryeministri i vendit, 25-vjeçari i kishte kërkuar 54-vjeçarit dorëzimin e shumës prej 1 milion eurosh, ndërsa e kishte njoftuar se paratë do t'i tërhiqte një person i dërguar prej tij.
Duke nuhatur se ndodhej përballë një tentativë mashtrimi, ndërtuesi Kollçaku ka vendosur të bashkëpunojë menjëherë me autoritetet, duke e denoncuar rastin në polici.
Pas marrjes së kallëzimit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, organizuan ndërhyrjen. Operacioni rezultoi me sukses, duke çuar në kapjen në flagrancë të 25-vjeçarit A. M. në momentin kur ai po paraqitej për të marrë shumën e parave.