Ulja e nivelit të ujit në liqenin e Fierzës ka nxjerrë sërish në pah gjurmët e Kukësit të Vjetër, mes tyre edhe dy objekte me rëndësi historike: bunarin monumental të vitit 1928 dhe bazamentin ku dikur ishin vendosur bustet e Ahmet Zogut dhe Gjergj Kastriotit Skënderbeut, vepra të skulptorit të njohur Odhise Paskali.
Historiani dhe studiuesi Paulin Zefi i bën apel Bashkisë së Kukësit që të ndërmarrë një nismë për shpëtimin dhe zhvendosjen e këtyre dy objekteve, duke e cilësuar të papranueshme që ato të vijojnë të qëndrojnë nën ujërat e liqenit të Fierzës.
“Këto objekte ia shtojnë vlerën qytetit të Kukësit. Është e domosdoshme që edhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me Bashkinë, të ndërhyjë për zhvendosjen e këtyre dy objekteve. Gjatë këtyre ditëve duhet të bëhet një ekspertizë, të përllogariten peshat dhe të përcaktohet mënyra se si mund të ndahen në pjesë të ndryshme, për t'u zhvendosur dhe rimontuar.”- tha Zefi.
Por për arkitektin dhe specialistin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, Andrit Shehu, zhvendosja e tyre nuk është zgjidhja e duhur. Sipas tij, këto objekte janë pjesë e pandashme e historisë së zhvendosjes së Kukësit të Vjetër dhe krijimit të qytetit të ri.
“Është një çështje tejet delikate që cenon dinjitetin, historinë dhe vlerat kulturore të historisë së zhvendosjes së qytetit të vjetër të Kukësit në qytetin e ri. Pas vitit 1978, kur u bë përmbytja përfundimtare e Kukësit të Vjetër me ndërtimin e HEC-it të Fierzës, në atë kohë instancat shtetërore, për shkaqet dhe pasojat që sillnin objektet e qytetit të vjetër të Kukësit, morën vendim që të sheshoheshin dhe të shembeshin të gjitha objektet. Vlen për t'u theksuar prezenca e këtyre dy objekteve, të cilat kanë pasur elemente dhe vlera që edhe në atë kohë është menduar të mos cenohen dhe nuk janë prishur. Dhe sot, kur bie niveli i ujërave të liqenit të Fierzës, evidentohen këto dy objekte. Tematika e këtyre objekteve është diskutuar shpeshherë, sepse për ne qytetarët e Kukësit është prezente sa herë bie niveli i ujit. Ne i pikasim, na ngacmojnë, na përkujtojnë historinë, na përkujtojnë zhvendosjen dhe tranzicionin e dy qyteteve”."- u shpreh Shehu.
Shehu argumenton se dy objektet kanë mbijetuar që prej përmbytjes së Kukësit të Vjetër në vitin 1978 dhe se prania e tyre në vendndodhjen origjinale përbën një dëshmi të rëndësishme historike. Ai i referohet edhe parimeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke theksuar se ndërhyrjet në objekte të tilla duhet të vlerësohen me kujdes.
“Por, nga parimi dhe mendimi im personal dhe profesional si specialist i monumenteve të trashëgimisë kulturore, gjykoj se këto dy objekte nuk duhet të zhvendosen, sepse i përkasin asaj zone, asaj historie, atij qyteti që është nën ujë dhe vlerat që ato kanë dhe mbartin i kanë atje ku ndodhen, nën ujërat e liqenit të Fierzës. Edhe Karta e Venecias, në përshkrimet pranë siteve arkeologjike dhe urbane, pavarësisht se zona e vjetër e qytetit të Kukësit nuk është e shpallur si sit arkeologjik. Edhe po t'i referohemi UNESCO-s dhe parimeve të saj, duhet të ketë një afat kohor mbi 100-vjeçar për rrënojat që ndodhen nën sipërfaqet ujore, që të marrin vlerat e trashëgimisë kulturore dhe të kërkohet mbrojtje me ligj."- vijoi ai.
Një tjetër argument i arkitektit lidhet me mundësinë që Kukësi i Vjetër të kthehet në një destinacion të turizmit nënujor. Sipas tij, stabilizimi i nivelit të ujit të Fierzës, si pasojë e ndërtimit të HEC-it të Skavicës, mund të krijojë kushte për zhvillimin e zhytjeve turistike dhe vizitimin e gjurmëve historike nën ujë.
“Por planet për ndërtimin e HEC-it të Skavicës do të bënin që liqeni i Fierzës të ishte në kuotat maksimale dhe nuk do të kishte rënie të nivelit, si rrjedhojë qyteti i vjetër i Kukësit dhe dy objektet nuk do të shfaqeshin më. Sido që të jetë vazhdimësia si pasojë e ndërtimit të HEC-it të Skavicës, detyrimisht ne nuk do ta kemi këtë prani të luhatjeve të ujërave të Fierzës, por do të kemi stabilitet. Besoj se jetëgjatësia e këtyre dy objekteve do të ketë një kohë të gjatë shtrirjeje, për arsye se nga viti 1978 e deri tani kemi një periudhë të gjatë që kanë mbijetuar nën ujë dhe, për shkak të aluvioneve dhe llumrave që depoziton Drini, këto objekte nuk janë në fazën alarmante që ne të ngremë shqetësim për shkaqet që mund të mbulohen nga mbetjet e liqenit apo lumenjve që depozitohen në basenin e Fierzës.”- tha arkitekti.
Shehu thekson gjithashtu se, pavarësisht qëndrimit kundër zhvendosjes, qyteti i vjetër dhe objektet e tij historike duhet të promovohen përmes ekspozitave, fotografive dhe materialeve informuese në hapësirat publike dhe institucionale të Kukësit të ri.
“Ajo që vlen të theksoj është se për këto dy objekte, që t'i kujtojmë, ne kemi detyrimin moral, ligjor e kulturor që historinë e së kaluarës dhe qytetin që nuk ekziston dhe që është nën ujë, ta promovojmë përmes ekspozitave dhe afishimeve publike që kemi në qytetin e ri, në ambiente publike dhe institucionale shtetërore, që të promovojmë se si ka qenë e kaluara e këtij qyteti, vlerat dhe objektet historike, monumentale që ka pasur. Sfondi që kemi nga pas është një pjesë që unë e promovoj në çdo ambient ku ushtroj detyrën dhe aktivitetet e mia personale. Promovoj historinë e kaluar të qytetit të Kukësit. Në rastin konkret kemi të bëjmë edhe me monumentin që dëshmon periudhën kur është vendosur busti i Mbretit Zog dhe një moment tjetër, i cili dëshmon se pas bustit të Mbretit Ahmet Zogu është vendosur busti i Skënderbeut, heroit kombëtar, i punuar nga Odhise Paskali”.- përfundoi Shehu.
Përtej dëshires mbi zhvendosjen apo ruajtjen në vend të këtyre dy objekteve, Kukësi i Vjetër mbetet një dëshmi e rëndësishme e historisë dhe e transformimit të qytetit, e cila kërkon vëmendje dhe një strategji të qartë për mbrojtjen dhe promovimin e saj.











Komente
Komento