“Hallin tënd e zgjidh veç Bela”, Veliaj “i lutet” Ballukut: Aprovoni operacionin tim në Tiranë
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka drejtuar një letër zv.kryeministres Belinda Balluku, ku i kërkon miratimin e një ndërhyrjeje kirurgjikale në Tiranë, pranë mjekut të tij dhe familjes, duke ironizuar se: “Të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”.
Në letrën e tij, Veliaj shkruan se prej një muaji ndodhet në izolim në IEVP Fier, me këmbën e thyer dhe në nevojë urgjente për operacion.
Ai pretendon se kërkesat e mëparshme drejtuar kryeministrit Edi Rama, ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja/Gogu dhe drejtoreshës së Burgjeve nuk kanë marrë përgjigje.
Letra e plotë:
Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj





