U plagos rëndë në protestë, Erjon Vishkulli thirret për të dëshmuar në Prokurori

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.11.2026, 12:19

Prokuroria e Tiranës ka thirrur Erjon Vishkullin për t’u marrë në pyetje lidhur me plagosjen e rëndë në sy, që pësoi gjatë protestës studentore të zhvilluar mbrëmjen e 24 tetorit.

Ai pritet të paraqitet në prokurori më 25 nëntor, ku do të japë shpjegime mbi rrethanat e ngjarjes dhe trajtimin mjekësor pas dëmtimit.

Sipas fletëthirrjes së firmosur nga prokurori i çështjes, Ndini Tavani, Vishkulli është thirrur në orën 11:00. Hetuesit pritet ta pyesin për momentin kur u plagos pranë sheshit Skënderbej, në afërsi të godinës së Bankës së Shqipërisë, si dhe për atë që ndodhi më pas, përfshirë transportimin në Spitalin e Traumës dhe dërgimin për kurim në Itali.

Pas dëmtimit në sy, Vishkulli u trajtua në Itali, ku iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai është kthyer së fundmi në Shqipëri, ndërsa pritet të udhëtojë sërish drejt Italisë për të vijuar trajtimin dhe për të kryer ndërhyrje të tjera mjekësore.

Hetimi i Prokurorisë së Tiranës përfshin veprat penale të plagosjes së rëndë dhe shpërdorimit të detyrës nga punonjësit e policisë. Krahas rastit të Vishkullit, organi i akuzës po shqyrton edhe kallëzimet e bëra nga protestues të tjerë, të cilët pretendojnë se janë dëmtuar nga përdorimi i forcës policore dhe i armëve me plumba gome gjatë protestës.

Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar dhe administruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja. Mes tyre janë edhe regjistrimet e kamerave të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të ndihmojnë në rindërtimin e dinamikës së plagosjes. Prokuroria ka administruar gjithashtu kartelën mjekësore të Vishkullit në Spitalin e Traumës.

Ndërkohë, përmes një letërporosie drejtuar autoriteteve italiane, prokuroria ka kërkuar dokumentacionin e plotë mjekësor nga spitali ku ai u trajtua në Itali. Hetuesit kanë kërkuar gjithashtu listën e efektivëve të angazhuar në sheshin Skënderbej mbrëmjen e protestës, si dhe identifikimin e punonjësve të policisë që kanë përdorur armët me plumba gome.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit