Trajneri i Barcelona, Hansi Flick, raportohet se dëshiron dy përforcime të reja për ekipin e tij në merkaton e janarit, pasi synon të forcojë mbrojtjen.
Trajneri gjerman ka folur tashmë për mundësinë e afrimit të një mbrojtësi qendror, duke deklaruar muajin e kaluar se është diçka për të cilën klubi katalanas po punon.
Sipas “Diario Sport”, Flick dëshiron gjithashtu të afrojë një mbrojtës të majtë për të zëvendësuar Alejandro Balden i cili pritet të largohet gjatë afatit kalimtar të dimrit.
Drejtori sportiv Deco, duket se e ka përjashtuar mundësinë e largimit të Baldes këtë javë. Megjithatë, fakti që mbrojtësi ka pasur pak minuta lojë për Barcelonën deri më tani në sezonin 2026-27, bën që një largim në dimër të mbetet një mundësi reale.
Raporti thekson se Flick kërkon dy mbrojtës, pasi reparti i prapavijës është goditur nga dëmtime të shumta këtë sezon. Mungesa e fundit e Andreas Christensen ka ngritur sërish dyshime mbi besueshmërinë e tij.
Megjithatë, situata financiare e Barcelonës mbetet delikate. Që klubi të afrojë lojtarë të rinj, duhet të ketë edhe largime. Shitja e Balde do të krijonte hapësirë financiare dhe do të lironte buxhetin për paga, por Barcelona mund të detyrohet të largojë edhe ndonjë lojtar tjetër.







