Bashkia e Mirditës dhe Qarku i Nysës në Poloni kanë nënshkruar një marrëveshje partneriteti, e cila synon zgjerimin e bashkëpunimit në arsim, shëndetësi dhe turizëm, si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta mes dy komuniteteve.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi në Bashkinë Mirditë, ku kryebashkiaku Albert Melyshi dhe anëtari i Bordit të Qarkut të Nysës, Çesllav Bilobran, vlerësuan mundësitë që krijon ky partneritet.

“Ky është vazhdimi i një bashkëpunimi që kemi nisur më herët me Qarkun e Lezhës. Shpresojmë që nga ky partneritet të përfitojnë të dy komunitetet. Po ashtu, po bashkëpunojmë në fushën e arsimit dhe synojmë të zgjerojmë bashkëpunimin edhe në shëndetësi dhe turizëm, pasi kjo zonë ka potencial të jashtëzakonshëm”, u shpreh përfaqësuesi polak.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Spitali Bashkiak i Mirditës ka përfituar edhe një ambulancë, të dhuruar nga Qarku i Nysës. Dhurimi vjen si pjesë e marrëdhënieve të binjakëzimit mes Qarkut të Lezhës dhe atij të Nysës, të cilat vijojnë prej disa vitesh.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, delegacioni polak vizitoi Qendrën e Informimit të Vizitorëve dhe Turistëve në Rubik, ku u njoh me potencialin turistik dhe mundësitë e zhvillimit të zonës, si dhe me hapësirat për bashkëpunime të tjera në të ardhmen.