Lista Studentore paralajmëron rishikimin e marrëveshjeve me Kosovën, BE-ja: Detyrimet e Serbisë nuk ndryshojnë

20 Nëntor 2026 | 13:12

Lista Studentore në Serbi, e cila fitoi zgjedhjet duke mposhtur Partinë Përparimtare Serbe pas 14 vitesh në pushtet, paralajmëron rishqyrtimin e kushtetutshmërisë së marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian

Në programin e saj, në pjesën që trajton interesat kombëtare, Lista Studentore shprehet kundër pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare. Gjithashtu, ajo paralajmëron se do të shqyrtojë kushtetutshmërinë e marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit dhe do të kërkojë ndjekjen penale të të gjithë përfaqësuesve përgjegjës të regjimit të mëparshëm për veprat e mundshme penale që lidhen me lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve që i konsideron antikushtetuese dhe në dëm të Serbisë.

Kjo bie ndesh me angazhimet e marra nga Serbia në vitin 2023, kur pranoi Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Përmes saj, Beogradi u zotua të mos e kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Palët ranë dakord gjithashtu për një plan zbatimi, i cili parashikon respektimin e integritetit territorial dhe njohjen e simboleve kombëtare të njëra-tjetrës.

Ky qëndrim ka nxitur reagimin e Brukselit dhe Prishtinës, të cilat kërkojnë respektimin e detyrimeve të marra përsipër nga Beogradi.

BE-ja: Ndryshimi i pushtetit nuk i ndryshon detyrimet

Bashkimi Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ka bërë të qartë se rezultatet e zgjedhjeve në Serbi nuk ndryshojnë detyrimet e marra përsipër nga palët.

“Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi nuk i ndryshojnë bazat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe as detyrimet që kanë marrë përsipër palët”, deklaroi një zëdhënës i Bashkimit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Brukseli pret që Serbia të vijojë angazhimin konstruktiv në dialog, të përmbushë detyrimet e saj dhe të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës thekson se normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë mund të arrihet vetëm përmes njohjes së ndërsjellë.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë për Radion Evropa e Lirë.

Sipas diplomacisë kosovare, qëndrimi i Listës Studentore rrezikon të thellojë ndasitë që dialogu synon të kapërcejë. Prishtina vlerëson se pretendimet për ta konsideruar Kosovën pjesë të Serbisë dhe për të penguar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare bien ndesh me objektivin e normalizimit të marrëdhënieve.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë: Anulimi i marrëveshjeve është pothuajse i pamundur

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, Vlladan Petrov, i pyetur nga Radio Evropa e Lirë, është shprehur se rikthimi i situatës në gjendjen para zbatimit të marrëveshjeve me Kosovën është pothuajse i pamundur.

Petrov, duke theksuar se po shprehte mendimin e tij personal, tha se Serbia do të kishte bazë kushtetuese për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga dialogu vetëm nëse Gjykata Kushtetuese do të ndryshonte qëndrimin e vitit 2014 dhe do t’i trajtonte marrëveshjet si traktate ndërkombëtare.

Në atë vit, Gjykata Kushtetuese e Serbisë rrëzoi kërkesën për të shqyrtuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Marrëveshjes së Parë të Brukselit, duke e cilësuar atë një marrëveshje politike dhe jo një traktat ndërkombëtar.

“Por, e përsëris, cilado qoftë natyra e tyre, Republika e Serbisë i ka zbatuar plotësisht prej kohësh, ndaj natyrshëm shtrohet pyetja se çfarë pasojash konkrete mund të sillte një vendim i tillë, edhe po ta marrim si hipotezë”, u shpreh Petrov.

Pas fitores në zgjedhje, përfaqësues të Listës Studentore kanë kërkuar dorëheqjen e disa drejtuesve të institucioneve, mes tyre edhe të kreut të Gjykatës Kushtetuese.

Analistët: Qëndrimi ndaj Kosovës mund të pengojë afrimin me BE-në

Për profesorin e së drejtës kushtetuese në Serbi, Bogolub Millosavleviq, ende nuk është e qartë se si Lista Studentore synon t’i rishqyrtojë marrëveshjet dhe çfarë rezultati kërkon të arrijë. Megjithatë, ai nuk beson se lëvizja do të ndërmarrë hapa që bien ndesh me synimin për afrimin e Serbisë me Bashkimin Evropian.

Ndërsa Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, e interpreton paralajmërimin për rishqyrtimin e marrëveshjeve si një thirrje për partneritet me BE-në dhe respektimin e disa parimeve. Ai nuk pret që Lista Studentore t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke argumentuar se vendimi i vitit 2014 mbetet në fuqi.

Nga Prishtina, analisti politik Artan Muhaxhiri e cilëson qëndrimin e Listës Studentore ndaj Kosovës si një “narrativë populiste”, në kundërshtim me objektivin e Serbisë për t’u afruar me Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Lista Studentore ka mundësinë të sjellë ndryshime thelbësore pozitive në shoqërinë serbe, por mund ta humbasë këtë mundësi nëse përfshihet në një përpjekje për të ndryshuar realitetin e Kosovës.

Muhaxhiri i sheh zgjedhjet presidenciale në Serbi, që pritet të mbahen deri në fund të vitit, si një nga arsyet që mund të shpjegojnë qëndrimin e deritanishëm të Listës Studentore ndaj Kosovës. Sipas tij, dialogu nuk mund të vijojë nëse kjo lëvizje nuk ndryshon qasjen e saj ndaj Prishtinës.

Ndërkohë, që nga nisja e dialogut në vitin 2011, Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje për çështje të ndryshme, përfshirë lirinë e lëvizjes, integrimin e gjyqësorit dhe policisë, energjinë elektrike, telekomunikacionin, njohjen e diplomave dhe statusin e komunitetit serb në Kosovë. Serbia vijon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Nuk u lejua takimi me të vëllanë, Daut Krasniqi tenton të shohë Jakupin nga ballkoni i shtëpisë (VIDEO)

Sot është dita e tretë e vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë. Një moment prekës ishte ai kur vëllai i tij, Daut Krasniqi, megjithëse e...
13:04 | 20/11/2026

Kuvendi i Kosovës shpall masa emergjente për energjinë, do të jenë në fuqi për 60 ditë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar pas mesnatës vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë...
10:54 | 20/11/2026

Gjashtë pjesëtarë të FSK-së përfundojnë trajnimet në Forcat e Armatosura të Shqipërisë

Gjashtë nënoficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë përfunduar me sukses trajnimet profesionale në Qendrën e Përgatitjes Profesionale të Nënoficerëve në Forcat e...
09:12 | 20/11/2026