Rënia e çmimit të vajit të ullirit po vë në vështirësi fermerët shqiptarë, disa prej të cilëve paralajmërojnë se do të braktisin kultivimin e ullirit, madje edhe se do të presin pemët ekzistuese. Përballë kësaj situate, Shoqata e Industrialistëve Ushqimorë Shqiptarë (AFI) kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga qeveria, duke propozuar mes të tjerash ndalimin e importit të vajit të ullirit deri në fund të muajit janar.

Në një deklaratë publike, drejtori ekzekutiv i shoqatës, Alban Zusi, thekson se gjatë dhjetë viteve të fundit në Shqipëri janë bërë investime të konsiderueshme në kultivimin e ullirit dhe në industrinë e përpunimit, ku sipas tij numërohen mbi 270 fabrika të vajit të ullirit.

Sipas tij, ndërhyrja është urgjente, pasi dy muajt e ardhshëm janë periudha kur fermerët duhet të kryejnë shërbimet e nevojshme për ullishtet. Nëse heqin dorë nga këto shërbime, Zusi paralajmëron pasoja për prodhimin e vitit të ardhshëm, fabrikat e përpunimit dhe konsumatorët.

Shoqata propozon shtatë masa për përballimin e situatës. Mes tyre është krijimi i një fondi për certifikimin e vajit të ullirit sipas standardeve ligjore ose organike, aty ku plotësohen kushtet. Sipas propozimit, certifikimi duhet t'u ofrohet fermerëve pa pagesë të menjëhershme, me mundësinë e pagesës ose rimbursimit pas shitjes së produktit.

Një tjetër masë është ndalimi i përkohshëm i importit të vajit të ullirit deri në fund të janarit, si dhe promovimi i përditshëm në media i konsumit të vajit shqiptar.

AFI propozon gjithashtu që subjektet që kanë përfituar mbështetje nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) apo lehtësira fiskale gjatë pesë viteve të fundit të detyrohen të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar deri në muajin qershor.

Për bizneset që nuk do ta respektonin këtë detyrim, shoqata sugjeron vendosjen e një tarife të barabartë me vlerën e vajit të importuar që blejnë, si dhe përjashtimin për pesë vite nga përfitimi i fondeve të AZHBR-së apo lehtësirave të tjera fiskale.

Një tjetër propozim lidhet me vendosjen e një çmimi reference për vajin e ullirit të importuar, për efekt të detyrimeve fiskale, bazuar në koston e prodhimit të fermerëve shqiptarë.

Shoqata kërkon edhe ngritjen e një task-force pranë Ministrisë së Bujqësisë, ku 70% e anëtarëve të jenë fermerë ose përfaqësues të fabrikave të vajit të ullirit. Kjo strukturë, sipas propozimit, duhet të verifikojë deri në fund të shkurtit zbatimin e masave.

Në fund të deklaratës, Alban Zusi u drejtohet edhe konsumatorëve shqiptarë, duke u bërë thirrje të mbështesin prodhimin vendas.

“Mbështesni fermerët shqiptarë dhe industrinë prodhuese të vajit të ullirit, duke blerë masivisht dhe pa hezitim vajin e ullirit pranë fermerëve apo fabrikave tuaja të besuara”, thuhet në deklaratën e Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë Shqiptarë.