Përfshirja e Shqipërisë në nismën “Trump Peace Pipelines Framework” është përshëndetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes që synon forcimin e sigurisë energjetike dhe diversifikimin e furnizimit me energji në rajon.

Në një postim në rrjetet sociale, ambasada thekson se nisma do të ndihmojë në uljen e rrezikut nga ndërprerjet e furnizimit me energji, ndërsa do të krijojë mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit shqiptarë e amerikanë.

“Krenari të shohësh Shqipërinë t'i bashkohet nismës ‘Trump Peace Pipelines Framework’, ndërsa Ambasadori Wendt nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit në Ministerialin e Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC), duke dëshmuar për rritjen e angazhimit rajonal për sigurinë dhe diversifikimin energjetik. Ky është një hap i rëndësishëm drejt uljes së cenueshmërisë së rajonit ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Marrëveshja e nënshkruar dje lidhet me gazsjellësin që do të lidhë Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë me Gazsjellësin Transadriatik.

Ndërkohë, marrëveshja e dytë energjetike ka të bëjë me vijimin e projektit të hidrocentralit të Skavicës, për të cilin po punohet me kompaninë amerikane Bechtel. Studimet mjedisore dhe ato të fizibilitetit janë drejt përfundimit.

Edhe për këtë projekt, Ambasada Amerikane ka shprehur mbështetjen e saj, duke e cilësuar Skavicën një investim strategjik për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj projektit të hidrocentralit të Skavicës, një projekt strategjik për sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe të rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. Skavica do të ofrojë furnizim të qëndrueshëm me energji për shqiptarët, një rrugë të qartë për investime të sigurta, si dhe mundësi për kompanitë dhe punonjësit amerikanë”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Por, çfarë është nisma e presidentit Trump?

“Trump Peace Pipelines Framework” është një nismë e administratës së Presidentit Donald Trump, e shpallur më 28 prill 2026 në Dubrovnik të Kroacisë, që synon të zhvillojë infrastrukturën e gazsjellësve në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke rritur furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA-ja.

Objektivat kryesore janë ulja e varësisë së vendeve evropiane nga gazi rus, rritja e importit të gazit amerikan LNG në Evropë, ndërtimi dhe zgjerimi i gazsjellësve, terminaleve LNG dhe lidhjeve ndërkufitare, krijimi i alternativave të furnizimit në rast krizash gjeopolitike.

Nisma synon kryesisht Evropën Qendrore dhe Lindore, rajonin e Adriatikut, Baltikut dhe Detit të Zi.