Presidenti rus Vladimir Putin u ka bërë thirrje ukrainasve të braktisin përballjen me Moskën dhe të kërkojnë një të ardhme të përbashkët me Rusinë, duke pretenduar se Perëndimi po e shfrytëzon Ukrainën për interesat e veta gjeopolitike.
Në një intervistë me regjisorin serb Emir Kusturica, për një dokumentar të Kanalit të Parë rus, Putin deklaroi se Rusia dhe Ukraina duhet të bashkojnë përpjekjet për të garantuar zhvillimin dhe të ardhmen e të dy popujve.
“Ejani në anën tonë, sepse kjo është ana jonë e përbashkët. Ejani në anën e duhur të historisë”, u shpreh presidenti rus, duke theksuar se bashkimi nuk nënkupton domosdoshmërisht krijimin e një shteti të vetëm.
Putin akuzoi gjithashtu Perëndimin se mbështet Ukrainën jo për interesat e popullit ukrainas, por me synimin për të dobësuar dhe copëtuar Rusinë. Sipas tij, kjo është pjesë e një politike të vjetër të fuqive të huaja për të kufizuar ndikimin e Moskës.
Ai kritikoi edhe udhëheqjen ukrainase, të cilën e cilësoi nacionaliste, ndërsa pretendoi se Ukraina kishte përjetuar deindustrializim dhe rënie demografike që përpara nisjes së luftës në vitin 2022. Në deklaratat e tij, ai nuk u ndal te shkatërrimet e shkaktuara nga pushtimi rus në qytetet dhe infrastrukturën ukrainase.
Gjatë intervistës, presidenti rus foli edhe për rolin e Kishës Ortodokse Ruse, duke e paraqitur Rusinë si një mbrojtëse të traditës së krishterë dhe vlerave shpirtërore.
“Lutem çdo ditë për Rusinë dhe për popullin tonë”, deklaroi Putin, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që, sipas tij, merr nga qytetarët rusë.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të mbetet një nga krizat më të mëdha të sigurisë në Evropë.
