Miklovan Arapi, 41 vjeç, inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Tiranë, është arrestuar më 17 nëntor, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Arapi është një prej personave të identifikuar dhe raportuar më herët si pjesëmarrës në përplasjen me protestuesit më 18 tetor në Tiranë, kur disa persona dolën nga selia e Partisë Socialiste me hunj dhe sende të forta.
Arrestimi i tij është pasqyruar në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas njoftimit, 41-vjeçari u kap në Tiranë, pasi Gjykata e Apelit në Romë e kishte dënuar me 6 vite burg për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Vjedhja e rëndë” dhe “Kanosja”.
Vepra e vjedhjes me armë lidhet me marrjen e pasurisë përmes dhunës ose kërcënimit me armë.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje mbi ngjarjet konkrete për të cilat Arapi është dënuar në Itali.a.b





