Klodiana Spahiu rikthen në tryezë projektin e refuzuar nga Evis Sala, modeli KAYO drejt shëndetësisë
Ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, ka konfirmuar vijimin e projektit për ndryshimin e mënyrës së furnizimit të spitaleve publike me barna dhe pajisje mjekësore. Bëhet fjalë për një nismë që ishte kundërshtuar nga ish-ministrja Evis Sala, e cila nuk pranoi të firmoste draftin para largimit nga qeveria.
Projektligji parashikon krijimin e një shoqërie aksionere shtetërore, e cila do të marrë përsipër një pjesë të konsiderueshme të procesit të furnizimit të institucioneve shëndetësore. Nga planifikimi i nevojave dhe prokurimi, deri te importi, magazinimi, transporti dhe shpërndarja e barnave, këto procese synohet të përqendrohen në një strukturë të vetme.
Sipas ministres Spahiu, kjo skemë do t’i mundësojë shtetit të blejë medikamentet drejtpërdrejt nga kompanitë prodhuese, duke shmangur mungesat në tregun farmaceutik dhe në spitalet publike.
Por drafti nuk kufizohet vetëm te centralizimi i blerjeve. Shoqërisë së re i jepet mundësia të krijojë kompani të përbashkëta me subjekte private, të marrë pjesë në kapitalin e tyre dhe të zhvillojë partneritete publiko-private në sektorin farmaceutik.
Pikërisht ky element ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të menaxhohen fondet publike, sa e garantuar do të jetë konkurrenca dhe cilat kompani do të përfitojnë nga kontratat me vlerë të konsiderueshme financiare.
Modeli i propozuar ngjason me atë të kompanisë shtetërore KAYO, ku kapitali publik mund të bashkëpunojë me atë privat. Megjithatë, shtrirja e një mekanizmi të tillë në shëndetësi shihet si veçanërisht e ndjeshme, për shkak të rëndësisë së furnizimit me ilaçe dhe pajisje mjekësore.
Ndërsa qeveria e paraqet këtë nismë si një zgjidhje për mungesat në spitale, mbeten pikëpyetje mbi transparencën e procedurave, kontrollin e çmimeve dhe rrezikun e përqendrimit të tenderave në pak duar. Në një sektor ku bëhet fjalë për shërbimin shëndetësor të qytetarëve dhe miliona euro para publike, mënyra e zbatimit të këtij modeli do të jetë vendimtare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



