Federata e Futbollit të Kosovës është ndëshkuar nga UEFA me një gjobë prej 42 mijë eurosh për incidentet e regjistruara gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Izraelit, e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Shtëpia e futbollit evropian ka marrë këtë vendim pas disa shkeljeve të konstatuara gjatë takimit, ku përfaqësuesja e Kosovës është penalizuar për sjellje josportive gjatë ekzekutimit të himnit të Izraelit, sjellje raciste dhe diskriminuese, si dhe për shfaqjen e një banderole me mesazh të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv.
Përveç ndëshkimit financiar, UEFA i ka dhënë edhe një paralajmërim të qartë Federatës së Futbollit të Kosovës. Në rast se incidente të ngjashme përsëriten në ndeshjet e ardhshme, masa disiplinore mund të jetë edhe më e rëndë, duke përfshirë mbylljen e pjesshme të stadiumit.
Ky vendim përbën një tjetër sinjal nga UEFA për rëndësinë e respektimit të rregullave disiplinore në kompeticionet ndërkombëtare, ndërsa Kosova rrezikon të përballet me masa më të ashpra nëse përsëriten shkelje të tilla.