Sport

Zidane nuk i trembet Spanjës: Duhet të eliminojmë më të mirët

Trajneri i Francës komenton shortin e Ligës së Kombeve dhe përballjen me kampionët e botës. Zidane paralajmëron se skuadra e tij do të nisë analizën që tani, me synimin për të shkuar deri në fund të kompeticionit.

Zinédine Zidane e ka pritur me qetësi shortin e Ligës së Kombeve, që i rezervoi Francës një përballje të fortë me Spanjën. Trajneri francez e di mirë nivelin e kundërshtarit, por nuk e sheh këtë duel si një pengesë, përkundrazi, si një mundësi për të treguar forcën e skuadrës së tij.

“E dinim që do të përballeshim me një kundërshtar të fortë. Kështu që do të jetë Spanja, kampionia në fuqi e botës. E njohim shumë mirë, por kemi studiuar ndeshjet e saj të fundit dhe do t’i analizojmë të gjitha me stafin tim.

Për të shkuar larg në një kompeticion, gjithsesi duhet të përballesh me skuadrat më të mira dhe t’i eliminosh ato”, u shpreh Zidane. Tekniku francez zbuloi gjithashtu se vëmendja e tij do të jetë te lojtarët që ishin pjesë e grumbullimit të nëntorit, por edhe te emrat e tjerë që mund të përfshihen në listën për këtë sfidë të rëndësishme.

“E di që të gjithë kanë ndeshje të rëndësishme me klubet e tyre dhe se nuk do të takohemi për katër muaj të tjerë. Megjithatë, jam i sigurt se do ta mbajnë në mendje këtë sfidë të madhe dhe do të jenë gati në mars”, deklaroi ai.

Zidane theksoi se kjo përballje nuk duhet parë si një revansh për gjysmëfinalen e Botërorit, pasi bëhet fjalë për një kompeticion tjetër dhe një grup të ri lojtarësh. “Ky nuk është një revansh për gjysmëfinalen e Kupës së Botës, por një tjetër kompeticion, me një grup të ri. Objektivi mbetet i njëjtë: të arrijmë në Final Four dhe të fitojmë Ligën e Kombeve”, përfundoi Zidane.

 

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.