Pas një udhëtimi tetëvjeçar, gjatë të cilit ka përshkuar pothuajse 10 miliardë kilometra, anija kozmike BepiColombo është gati të mbërrijë në destinacionin e saj përfundimtar dhe të hyjë në orbitë rreth planetit Mërkur.
Ajo do të hyjë në një mjedis jashtëzakonisht të vështirë: Mërkuri është planeti më i afërt me Diellin dhe temperaturat mund të arrijnë deri në 430°C, përpara se të bien në -180°C. Për më tepër, ai goditet vazhdimisht nga rrezatimi intensiv diellor.
Deri më tani, ky planet është eksploruar shumë pak, por shpresa është që ky mision të zgjidhë disa nga misteret më të mëdha të Mërkurit.
Ndër to përfshihen zbulimi i arsyes pse ka akull në krateret e tij, pavarësisht afërsisë me Diellin, si dhe kuptimi i zgavrave misterioze që gjenden të shpërndara në të gjithë sipërfaqen e tij.
Misioni BepiColombo, i cili është një bashkëpunim midis Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) dhe Agjencisë Japoneze të Kërkimit Hapësinor (JAXA), u nis në vitin 2018 nga Guiana Franceze.
Ndërsa anija kozmike po udhëtonte drejt pjesës së brendshme të sistemit diellor, asaj iu desh të përballej me tërheqjen e jashtëzakonshme gravitacionale të Diellit.
Për këtë arsye, ajo ka përdorur vazhdimisht sistemet e frenimit gjatë gjithë udhëtimit dhe ka ndjekur një trajektore shumë të ndërlikuar: ka kryer një rrotullim rreth Tokës, dy rrotullime rreth Venusit dhe gjashtë rrotullime rreth Mërkurit, në mënyrë që të ulte mjaftueshëm shpejtësinë për të hyrë në orbitë.
Manovra përfundimtare për hyrjen në orbitë është mjaft e rrezikshme: anija kozmike duhet të kryejë një manovër frenimi prej 37 minutash, në mënyrë që të kapet nga fusha gravitacionale e planetit. Nëse diçka shkon keq, anija kozmike mund të kalojë me shpejtësi pranë Mërkurit pa arritur të hyjë në orbitë.
Deri më tani, vetëm dy anije kozmike e kanë vizituar Mërkurin, të dyja pjesë e misioneve të NASA-s.
Mërkuri është vetëm pak më i madh se Hëna jonë dhe sipërfaqja e tij është e mbuluar me vullkane të lashta, shkëmbinj gjigantë me shpate të thepisura dhe kratere kolosale. Edhe koha në Mërkur kalon në një mënyrë që është e vështirë të imagjinohet.
Planeti rrotullohet rreth Diellit me një shpejtësi shumë të madhe, ndaj një vit në Mërkur zgjat vetëm 88 ditë tokësore. Por ai rrotullohet jashtëzakonisht ngadalë rreth boshtit të vet, kështu që një ditë e vetme atje zgjat 59 ditë tokësore.
Në të gjithë sipërfaqen e tij gjenden mijëra zgavra. Ato janë të cekëta, por kanë anë të pjerrëta dhe shpesh janë të grupuara. Sipas standardeve planetare, ato janë relativisht të reja: rreth 100 mijë vjet të vjetra.
Shkencëtarët e dinë se këto nuk janë kratere përplasjesh, pra gropa më të mëdha në sipërfaqe të krijuara nga përplasja e shkëmbinjve hapësinorë, por ende nuk janë të sigurt se çfarë janë këto zgavra apo si janë formuar.
BepiColombo do të ndihmojë gjithashtu në studimin e një tjetër veçorie të Mërkurit, e cila i ka habitur studiuesit. Pavarësisht përmasave të vogla të planetit, ai ka një bërthamë gjigante metali.
Planeti do të eksplorohet nga dy anijet kozmike që ndodhen në bord. Disa javë pas mbërritjes në Mërkur, ato do të ndahen.
Njëra anije, e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA), do të studiojë nga afër sipërfaqen e planetit, ndërsa tjetra, e cila i përket JAXA-s, do ta vëzhgojë planetin nga një distancë më e madhe.
Me dy anije në orbitë rreth Mërkurit, të dyja të pajisura me instrumente të shumta shkencore, ekipi i BepiColombo-s shpreson të gjejë përgjigje për misteret e këtij planeti.
Komente
Komento