E frikshme në Durrës, momenti kur shkëputen elementët dekorativë nga pallati 15-katësh, rrezikohen kalimtarët
Pas incidentit të mbrëmjes së kaluar, kur elementë dekorativë u shkëputën nga fasada e një pallati 15-katësh në rrugën e Currilave në Durrës, duke dëmtuar një automjet dhe rrezikuar kalimtarët, mëngjesin e sotëm ka ndërhyrë shërbimi zjarrfikës.
Ndërhyrja ka për qëllim heqjen e të gjithë elementëve të dëmtuar që rrezikojnë të shkëputen dhe të bien nga lartësia. Procesi rezulton i vështirë për shkak të lartësisë së godinës, pasi autoshkalla e zjarrfikësve mund të arrijë vetëm deri në një lartësi të caktuar.
Një tjetër vështirësi, sipas administratorit të pallatit, Flamur Bala, është mungesa e bashkëpunimit nga banorët, të cilët nuk kanë lejuar zjarrfikësit të ndërhyjnë nga brenda ballkoneve të apartamenteve.
“Zjarrfikësit mund të ndërhyjnë deri në katin e 7-të. Unë do t’i bëj një letër Bashkisë. Bashkëpunimi me banorët nuk është i thjeshtë, sepse disa nuk duan të na lejojnë të hyjmë në shtëpitë e tyre që të ndërhyjmë nga ballkoni. Gjithashtu, 50% e tyre jetojnë jashtë vendit, janë emigrantë. Duhet vendosja e skelave dhe Bashkia të marrë masa, të krijohet ndoshta një fond i përbashkët dhe kjo gjë duhet patjetër të zgjidhet. I bëj thirrje institucioneve të bashkëpunojnë për të parandaluar rreziqe më të mëdha.”, shprehet administratori.
Sipas administratorit, godina ka gjithsej 12 struktura me elementë dekorativë, të cilat shtrihen deri në katin e 15-të dhe kanë gjatësi rreth 40 metra. Ai paralajmëron se të gjitha këto struktura paraqesin probleme dhe se incidenti i ndodhur mund të përsëritet.
Shkëputja e elementëve nga fasadat nuk është një rast i izoluar në Durrës, pasi edhe më herët janë raportuar incidente të ngjashme me rënien e copave të suvasë, pllakave të mermerit dhe elementëve dekorativë nga pallatet dhe godinat institucionale.




