Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Besa Sherollari, ka paralajmëruar mot të paqëndrueshëm gjatë fundjavës dhe fillimit të javës së ardhshme.
Sipas saj, të shtunën reshjet e shiut do të përfshijnë pjesën më të madhe të vendit, duke u ndërprerë gradualisht në mbrëmje. Të dielën reshjet do të rikthehen pas mesditës, ndërsa të hënën priten shtrëngata shiu dhe shkarkesa elektrike, kryesisht në veri-perëndim dhe në qendër.
Të hënën pasdite pritet edhe rikthimi i reshjeve të borës në veri dhe verilindje, në lartësitë 1200–1400 metra.
Nga e marta moti do të përmirësohet, por temperaturat do të pësojnë rënie të ndjeshme. Nga 20°C gjatë fundjavës, të mërkurën temperaturat maksimale pritet të zbresin në 13–14°C, ndërsa në zonat malore minimalet mund të arrijnë në 0°C.