Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka kërkuar hetimin e pasurive dhe burimeve financiare të zyrtarëve të politikës shqiptare, si nga Partia Socialiste, ashtu edhe nga Partia Demokratike, duke propozuar krijimin e një qeverie besimi me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Hoxha deklaroi se çdo zyrtar që është pasuruar gjatë ushtrimit të detyrës duhet të japë llogari për burimin e pasurisë së tij. Ai e cilësoi korrupsionin si një nga problemet më të mëdha të vendit, duke pretenduar se ndërtimi në Shqipëri është i lidhur gjerësisht me paratë e drogës.

Në këtë kontekst, Hoxha propozoi krijimin e një qeverie besimi me mbështetjen e SHBA-së, si një mënyrë për të rikthyer besimin dhe për të garantuar përgjegjshmëri institucionale. Duke folur për situatën politike dhe zgjedhjet lokale në Tiranë, Hoxha komentoi edhe emrat e mundshëm të kandidatëve nga PS dhe PD, duke shprehur shqetësimin se opozita rrezikon të paraqitet me disa kandidatë.

Ai u shpreh se është në favor të një kandidati politik për kryeqytetin, duke shtuar se brenda opozitës ka figura që, sipas tij, kanë aftësitë për ta drejtuar Tiranën. Në vijim, Hoxha bëri thirrje për mobilizim qytetar në protestën e 28 nëntorit, duke i drejtuar një apel edhe diasporës shqiptare.

“Të hetohet çdo cent i atyre që kanë marrë të ardhmen e shqiptarëve, nga PS dhe PD. Kudo, në çdo nivel. Nëse je në administratë dhe je pasuruar, duhet të japësh llogari. Kush ua la këto pasuri, babai? Shqipëria duhet të ketë një qeveri besimi me mbështetjen e SHBA-së. Janë miliarda korrupsioni. Nuk ka pallat në Shqipëri që nuk ndërtohet me paratë e drogës. Këtu kërkohet përmbysje tepsie. Nëse nuk e kuptojnë, do t’ua marrë tepsinë rruga.

Ne duhet të ndjekim ëndrrën e arkitektit shqiptar, Ibrahim Rugova. Ne jemi me fat që kemi mbështetjen e SHBA-së. PS ka menduar Albana Koçiun, se s’mund të thotë: do ta bëjmë Tiranën si Berati, me Demon. Në PD ka disa ide që ju nuk duhet të keni kandidat, por ne jemi njerëz të ndershëm. Unë jam për kandidat politik. Për hir të respektit nuk po përmend emra. Por ka emra që janë civilë dhe politikë, që ta çonin përpara Tiranën. Opozita rrezikon që të dalë me disa kandidatë, sipas varianteve që po thoni ju. Nga njëra anë ke PS-në, që i sheh të gjithë si tradhtarë. Një Ramë që është nën efektin e ‘pluhurit të zanave’, siç thoshte Dritan Prifti. Thirrje të gjithë patriotëve që të mbushim sheshin më 28 nëntor. Më 28 nëntor pres ditën më të vështirë të Edi Ramës. Pres që diaspora dhe shqiptarët t’i japin përgjigjen e merituar atij dhe qeverisë së korruptuar.”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb