Labinoti Mal u bë pikëtakimi i traditës, natyrës dhe mikpritjes, në edicionin e radhës të Festës së Gështenjës, një aktivitet që mblodhi banorë, vizitorë dhe dashamirës të kësaj zone, duke sjellë atmosferën e veçantë të vjeshtës mes muzikës, këngëve e valleve tradicionale dhe shijeve autentike të prodhimeve vendase.
Panairi i produkteve lokale, gatimet karakteristike dhe aktivitetet festive krijuan një mozaik ngjyrash e shijesh, duke vënë në qendër gështenjën, simbolin e Labinot Malit, si dhe punën e përkushtimin e fermerëve që e kultivojnë dhe e mbajnë gjallë këtë traditë ndër breza. Festa shërben jo vetëm si një mundësi për të promovuar pasuritë e zonës, por edhe për të nxitur turizmin rural dhe për t’i dhënë më shumë vlerë prodhimit vendas.
I pranishëm në këtë aktivitet, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe mbështetjes së fermerëve, duke theksuar se pas çdo produkti vendas qëndron puna e familjeve dhe historia e një komuniteti.
“Gështenja është një nga produktet që e identifikon Labinot Malin, por pas saj qëndron puna dhe përkushtimi i familjeve që e kultivojnë dhe e mbajnë gjallë këtë traditë. Përmes kësaj feste, ne vlerësojmë fermerët tanë dhe promovojmë prodhimet vendase, të cilat janë pjesë e identitetit dhe e ekonomisë së zonës. Është e rëndësishme që këto produkte të gjejnë tregje të reja dhe të njihen nga sa më shumë konsumatorë, duke krijuar më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik të familjeve”, u shpreh Llatja.
Kreu i Bashkisë theksoi gjithashtu potencialin që Labinoti Mal ofron për zhvillimin e turizmit rural, falë bukurive natyrore, kulinarisë dhe traditave të ruajtura ndër vite. Ai nënvizoi se ruajtja e këtyre vlerave dhe përcjellja e tyre te brezat e rinj janë të rëndësishme jo vetëm për identitetin e zonës, por edhe për zhvillimin e saj në të ardhmen.
“Do të vijojmë të investojmë në Labinot Mal, veçanërisht në infrastrukturë, për të përmirësuar kushtet e jetesës së banorëve dhe për të mbështetur zhvillimin e zonës”, u shpreh kryetari Llatja, duke falënderuar banorët dhe fermerët për kontributin e tyre në vijimësinë e kësaj feste dhe në promovimin e vlerave të Labinoit Mal.
Festa e Gështenjës mbetet një traditë që bashkon komunitetin, promovon prodhimet vendase dhe përcjell mikpritjen karakteristike të zonës.






