Fitojmë apo humbasim nga ulja e çmimit të naftës dhe shtimi i taksës vjetore të automjetit?

Analizë

Publikuar: 20/11/2026

Fitojmë apo humbasim nga ulja e çmimit të naftës dhe shtimi i taksës vjetore të automjetit?

Nga Fatos Çoçoli

Nga 1 janari 2027, do të përballemi me një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e taksimit të karburantit dhe përdorimit të makinës sonë. Heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i karburantit  sjell një ulje prej 32.4 lekësh për litër në pompë(në pikën e tregtimit me pakicë). Ndërkohë që taksa vjetore e automjetit tonë do të rritet me mesatarisht rreth 10 mijë lekë(shtohet më shumë, nëse kemi një autoveturë tejet të amortizuar apo me fuqi motorike të madhe, si autoveturë luksi dhe ulet, kur kemi një autoveturë relativisht të re me fuqi motorike mesatare).

Në pamje të parë, kjo duket si një zhvendosje e barrës fiskale nga karburanti tek pronësia e automjetit. Por a është kjo një zhvendosje që favorizon shumicën e qytetarëve, apo një tjetër kosto për familjet që përdorin makinën çdo ditë?

Përgjigjja llogaritet fare thjesht. Le të marrim si shembull një automjet me naftë, pasi kjo është lënda djegëse që përdoret nga pjesa dërrmuese e automjeteve në vendin tonë.

Nëse taksa vjetore e automjetit rritet mesatarisht me 10 mijë lekë, ndërsa çmimi i naftës ulet me 32.4 lekë për litër, atëherë pika e ekuilibrit ku as nuk fitojmë, as nuk humbasim është:

10.000 lekë : 32.4 lekë/litër = 308.6 litra në vit.

Pra, na mjafton të konsumojmë rreth 310 litra naftë në vit, ose afërsisht 6 litra në javë, që kursimi nga ulja e çmimit të karburantit të kompensojë plotësisht taksën vjetore shtesë prej 10 mijë lekësh. Kjo është pika ku qytetari as nuk fiton dhe as nuk humbet financiarisht nga ndryshimi i ri.

Nëse konsumojmë më shumë se 310 litra në vit ose 6 litra në javë, dalim të humbur. Tashmë lind pyetja: sa prej nesh e përdorin automjetin, duke harxhuar më shumë se gjashtë litra naftë në javë?

Duke pasur parasysh se në Shqipëri, sipas INSTAT, kemi të regjistruara mbi 1.1 milion automjete dhe se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë aktive, pra në qarkullim (përllogaritet rreth 80 përqind e tyre), është e arsyeshme të mendohet se shumica e përdoruesve të rregullt të automjeteve do ta kalojnë këtë prag konsumi.

Dhe nëse tetë në dhjetë automjete aktive tek konsumojnë më shumë se gjashtë litra naftë në javë, atëherë pjesa më e madhe prej nesh do të përfitojmë nga ky ndryshim. Të paktën shtatë në dhjetë prej nesh, duke patur parasysh konsumin vjetor dhe numrin e automjeteve aktive.

Shumë prej nesh nuk pyesim sa litra karburant konsumojmë gjatë vitit, por nga 1 janari 2027, ia vlen t’ia bëjmë këtë pyetje vetes. Pika e ekuilibrit(ku as nuk fitojmë, as nuk humbasim), llogaritet thjeshtë, me kilometrat e përshkuara.

Le të marrim një automjet që konsumon mesatarisht 7 litra naftë për 100 kilometra. Për të konsumuar rreth 310 litra naftë në vit(pika e ekuilibrit, ky automjet duhet të përshkojë 310 litra, pjestim për 7 litra, baraz me 4,460 kilometra në vit.

Nëse i përshkruan 4.460 kilometra në vit, është në pikën e ekuilibrit. Nëse përshkon më shumë se 4.460 kilometra në vit, pronari del financiarisht i fituar.

Pra, një automjet që përdoret rregullisht, qoftë për vajtje-ardhje në punë, për lëvizje familjare apo për udhëtime ndërqytetëse, e kalon lehtësisht këtë prag.

Përllogaritjet bazohen në një taksë shtesë prej 10.000 lekësh dhe ulje prej 32.4 lekësh për litër.

Kështu, çdo përdorues mund të vendosë në përllogaritje konsumin real të makinës së tij dhe të kuptojë nëse do të përfitojë apo jo nga ndryshimi fiskal.

Përtej llogarisë individuale të çdo pronari automjeti, ulja e çmimit të karburantit do të sjellë përfitime më të gjera për ekonominë tonë.

Karburanti përfaqëson një nga kostot e rëndësishme të ekonomisë. Ai ndikon drejtpërdrejt në transportin e mallrave, shpërndarjen e produkteve ushqimore, aktivitetin e bujqësisë, ndërtimin, turizmin, shërbimet dhe logjistikën.

Për këtë arsye, një ulje prej 32.4 lekësh për litër apo 15 përqind e tij prodhon një efekt zinxhir pozitiv në disa drejtime.

Së pari, ulja e kostove të transportit.Kompanitë e transportit të mallrave dhe të udhëtarëve do të kenë mundësi të ulin shpenzimet operative. Nëse ky kursim reflektohet në tarifat e transportit, përfitojnë edhe bizneset dhe konsumatorët.

Së dyti, lehtësimi i kostove të prodhimit.Bujqësia, industria përpunuese dhe ndërtimi janë sektorë që përdorin sasi të konsiderueshme karburanti. Ulja e kostos së tij mund të përmirësojë konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare.

Së treti, më shumë të ardhura të disponueshme për familjet. Familjet që përdorin rregullisht automjetin do të shpenzojnë më pak për karburantin, pasi të kenë kompensuar taksën vjetore shtesë. Këto para do të shkojnë për konsum, shërbime, arsim, argëtim apo kursime.

Së katërti, një nxitje për turizmin. Transporti turistik, makinat me qira, operatorët e udhëtimeve dhe lëvizjet e vizitorëve përfitojnë nga ulja e kostove të karburantit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një ekonomi ku turizmi ka marrë peshë gjithnjë e më të madhe.

Së pesti, ndikimi mbi inflacionin. Nëse ulja e kostove të transportit dhe të shpërndarjes përcillet në çmimet e produkteve dhe shërbimeve, ulja krijon një efekt frenues mbi inflacionin.

Përfituesit kryesorë pritet të jenë qytetarët që përdorin automjetin rregullisht dhe përshkojnë kilometra të tëra në ditë, familjet që kanë nevojë për makinën për vajtje-ardhje në punë, bizneset e transportit dhe shpërndarjes, fermerët dhe sipërmarrjet që përdorin karburant në aktivitetin e tyre, si dhe operatorët turistikë dhe kompanitë e makinave me qira.

Ndërsa më pak të favorizuar do të jenë pronarët e automjeteve që i përdoren rrallë. Pra, ata që i mbajnë makinat kryesisht të parkuara, si dhe familjet që kanë disa automjete, por përdorin vetëm njërin prej tyre.

Për më tepër, përfitimi nuk kufizohet vetëm te kursimi individual i drejtuesve të automjeteve. Ulja e karburantit përcillet në kostot e transportit, të prodhimit dhe të shpërndarjes dhe përfitimet shtrihen në të gjithë ekonominë tonë, duke ndihmuar bizneset, konsumatorët dhe konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare.