Një 35-vjeçar shqiptar ka përjetuar momente të frikshme në Itali, pasi u pickua nga një grerëz në brendësi të gojës, teksa po hante mëngjes në një lokal pranë portit.

I riu ishte ndalur për të konsumuar një ëmbëlsirë me krem pastiçerie, por pa e vënë re mbi të ishte vendosur një grerëz. Në momentin që kafshoi ëmbëlsirën, insekti e pickoi brenda zgavrës së gojës, duke i shkaktuar dhimbje të forta.

I surprizuar nga ajo që po ndodhte, 35-vjeçari kërkoi menjëherë ndihmë, pasi dhimbja ishte e menjëhershme dhe e fortë. Në vendngjarje ndërhynë me shpejtësi shërbimet e ambulancës.

Pas marrjes së ndihmës së parë, shqiptari u transportua në spitalin e Torrette-s. Në spital, mjekët i administruan medikamente për të parandaluar një reaksion të rëndë alergjik dhe shfaqjen e shokut anafilaktik, një komplikacion që mund të rrezikojë seriozisht jetën e tij.