Polonia njoftoi se një raketë lundruese ruse ishte mes tre objekteve që shkelën hapësirën e saj ajrore në orët e para të së premtes. Kryeministri Donald Tusk deklaroi se incidenti nuk duket të ketë qenë aksidental, pasi në rajon po zhvilloheshin stërvitje ushtarake të vendeve perëndimore.
Nuk ka raportime për të plagosur apo dëme materiale, por Varshava e cilësoi incidentin si një “provokim” nga Moska.
Rusia nuk ka reaguar për shkeljet e hapësirës ajrore, të cilat ndodhën gjatë një prej sulmeve më të mëdha ajrore të saj ndaj Ukrainës që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë, në vitin 2022.
Ministri i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se raketa e tipit Kh-101 goditi një zonë rurale në Nowy Lipowiec, në juglindje të Polonisë, rreth 50 kilometra nga kufiri me Ukrainën, sipas BBC.
Raketa lundruese, e projektuar për goditje precize, u rrëzua rreth orës 06:30, sipas kohës lokale. Natalie Szponar, një banore e zonës, tha se po përgatiste fëmijët për shkollë kur dëgjoi “një fishkëllimë dhe një goditje të mbytur”.
Momenti i përplasjes u regjistrua nga një kamera në një fermë, ndërsa autoritetet më vonë konfirmuan se nuk kishte rrezik për banorët.
Një raketë tjetër, e dyshuar, u rrëzua pranë Rudnik nad Sanem, në perëndim të Nowy Lipowiec, ndërsa një dron me motor reaktiv u rrëzua në jug, pranë Mołodycz, tha Kosiniak-Kamysz.
Ministri i Mbrojtjes e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore polake si një “provokim” nga Rusia dhe tha se do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi “shkeljet e rënda të hapësirës ajrore polake” dhe bëri të ditur se avionët e Aleancës u ngritën në përgjigje të incidentit.
“Ky incident është qartësisht i rrezikshëm – një pasojë e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës”, deklaroi Rutte, i cili pritej të vizitonte Varshavën të shtunën.
Ndërkohë, në juglindje të Polonisë po zhvillohet stërvitja ushtarake Koalicja 2026, e udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca. Në të marrin pjesë 11 vende të grupit “Koalicioni i të Gatshmëve”, në kuadër të përgatitjeve për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.
“Nuk është rastësi që këto objekte ranë pranë vendit ku po zhvillohen manovrat ushtarake të ‘Koalicionit të të Gatshmëve’, të mbështetura nga trupat polake, në Nowa Dęba”, u tha Tusk gazetarëve të premten.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i cili po vizitonte Poloninë, deklaroi se “pasojat e luftës së paligjshme të Rusisë po ndihen në të gjithë Ukrainën dhe gjithnjë e më shumë edhe në vendet fqinje”.
Edhe kryeministri Andy Burnham e cilësoi incidentin e së premtes si “krejtësisht të papranueshëm”.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, shprehu “solidaritetin e tij të fortë” me popullin polak dhe tha se Rusia duhet të ulet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Shkeljet e hapësirës ajrore polake ndodhën një ditë pas një samiti në Berlin, ku morën pjesë 40 vende të Koalicionit të të Gatshmëve. Aleatët u zotuan të vijojnë mbështetjen për Kievin, ndërsa kancelari Friedrich Merz deklaroi se negociatat e paqes me Rusinë duhet të zhvillohen së shpejti në një territor neutral.
Të paktën tetë persona u vranë të premten, pasi raketat dhe dronët rusë goditën tre ura të Kievit mbi lumin Dnipro dhe një stacion në Lviv. Sulmet ndodhën disa ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi me “hakmarrje të dhimbshme” për sulmet e përsëritura ndaj urës ruse mbi Ngushticën e Kerçit, që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar.
Ky nuk është rasti i parë kur lufta në Ukrainë përhapet përtej kufijve të saj dhe prek Poloninë. Në korrik, një raketë lundruese ra gjithashtu në territorin polak, duke krijuar një krater me gjerësi rreth 10 metra. Edhe ai incident ndodhi gjatë një sulmi ndaj qytetit ukrainas të Lvivit.
Viktimat në Poloni kanë qenë të rralla, ndërsa Ukraina përballet çdo ditë me sulme vdekjeprurëse. Megjithatë, në nëntor 2022, dy fermerë polakë u vranë nga një raketë, e cila besohej se ishte lëshuar nga mbrojtja ajrore ukrainase në përgjigje të një sulmi rus.
Autoritetet moldave njoftuan gjithashtu të premten se hapësira e tyre ajrore ishte shkelur nga një dron, i cili kaloi për pak kohë në territorin e vendit gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë ka regjistruar 118 shkelje të tilla që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.