Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e 29 shtatorit, ku me 8 vota pro rrëzuan kërkesën e PD-së për të shpallur anti-kushtetuese zgjedhjen e Endri Shabanit si Avokat Populli.
Demokratët kundërshtuan zgjedhjen e Endrit Shabanit në detyrën e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar atë të pabazuar. Deputetët kërkuan verifikimin e pretendimeve për mungesë meritash, papajtueshmëri me funksionin dhe parregullsi në mbështetjen e kandidaturës së Shabanit.
Në vendimin e saj, Gjykata vlerësoi se procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit i nënshtrohet kontrollit kushtetues, si për kriteret e kandidimit, ashtu edhe për respektimin e procedurës parlamentare. Gjykata theksoi se autonomia e Kuvendit në organizimin e procedurave të brendshme nuk është e pakufizuar, por sipas Kushtetueses, ndërhyrja e saj justifikohet vetëm kur cenohen norma ose parime kushtetuese.
Sa i përket kriterit të meritës, Gjykata vlerësoi se dokumentacioni i paraqitur nga Shabani, së bashku me të dhënat e verifikueshme në burime publike, përbënte bazë të mjaftueshme për të provuar njohuritë dhe veprimtarinë e tij në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit. Ajo theksoi se vlerësimi i meritës i takon Kuvendit, por duhet të mbështetet në fakte objektive dhe të mos jetë arbitrar. Gjykata rrëzoi gjithashtu pretendimin për papajtueshmëri për shkak të angazhimeve të mëparshme politike të Shabanit si kryetar i partisë “Nisma Thurje” dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Sipas saj, momenti vendimtar për verifikimin e papajtueshmërisë është betimi dhe fillimi i ushtrimit të detyrës, jo momenti i kandidimit. Nga dokumentacioni rezultoi se Shabani ishte dorëhequr nga drejtimi dhe anëtarësia në parti më 1 tetor 2025, si dhe nga mandati i këshilltarit bashkiak më 16 tetor 2025, përpara betimit të tij më 18 dhjetor 2025.
Një tjetër çështje e shqyrtuar ishte tërheqja e mbështetjes nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët kishin kërkuar anulimin e nënshkrimeve të tyre për kandidaturën. Gjykata konstatoi se Shabani kishte siguruar 35 nënshkrime mbështetëse brenda afatit të përcaktuar, i cili përfundonte më 2 dhjetor 2025. Ajo arsyetoi se tërheqja e firmave më 5 dhjetor ishte bërë pas përfundimit të afatit dhe, për rrjedhojë, nuk mund të prodhonte më pasoja juridike.
Sipas Gjykatës, deputetët ruanin të drejtën e votës së lirë në seancën plenare, por nuk mund të zhbënin një veprim procedural që kishte përfunduar dhe kishte prodhuar efektet e tij. Në përfundim, Gjykata vlerësoi se nuk u konstatuan shkelje kushtetuese në procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe vendosi njëzëri rrëzimin e kërkesës së deputetëve.










Komente
Komento