Jennifer Lopez ka ndarë hapur mësimet që ka nxjerrë nga marrëdhëniet e saj të kaluara, duke zbuluar edhe këshillën që u ka dhënë dy fëmijëve të saj, binjakëve 18-vjeçarë Max dhe Emme, për jetën sentimentale.

“Përpiqem t’ua them nga përvoja ime, duhet ta kuptosh veten. Duhet ta kuptosh nga ke ardhur, ku po përpiqemi t’i mbushim boshllëqet e vogla që kemi. Kuptoji këto gjëra rreth vetes dhe përpiqu t’i qetësosh vetë”, u shpreh Lopez.

Ajo shtoi gjithashtu: “Mos kërko dikë tjetër që të rregullojë ato pjesë të tua”.

Këngëtarja, e cila ka qenë e martuar katër herë, me Ojani Noa, Cris Judd, Marc Anthony dhe së fundmi Ben Affleck, pranoi se përvoja e saj në dashuri e ka ndihmuar të kuptojë se lumturia nuk duhet të varet nga një person tjetër.

Lopez, e cila ka dy fëmijë me ish-bashkëshortin Marc Anthony, tha se aktualisht nuk është në kërkim të një lidhjeje romantike.

“Kam mësuar se në udhëtimin tim për ta kuptuar vërtet, dashuria që më duhet është gjithmonë brenda meje. Askush tjetër nuk do të ma japë atë. Dhe mund të vijë dikush që do të përputhet me atë energji dhe atëherë do të jemi mirë”, deklaroi ajo.

“Por deri atëherë, nuk e kërkoj këtë. Nuk kam nevojë për këtë për të qenë e lumtur në jetën time. Jeta ime është e lumtur. Jam e lumtur dhe kjo është ajo që e quaj epoka ime e lumtur”, përfundoi Jennifer Lopez.