Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian njoftuan këtë të premte arritjen e një marrëveshjeje të re për rivendosjen e marrëdhënieve dypalëshe, pas muajsh negociatash për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik.
Marrëveshja parashikon lehtësimin e tregtisë së produkteve ushqimore, krijimin e një skeme të re për lëvizjen e të rinjve dhe lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit. Megjithatë, mosmarrëveshjet për tarifat universitare të studentëve evropianë në Britani dhe disa çështje të tjera ekonomike mbeten ende për t’u zgjidhur dhe diskutuar.
Marrëveshja u arrit në kuadër të samitit Britani e Madhe-Bashkimi Evropian, që u zhvillua këtë të premte në Bruksel, ku kryeministri britanik Andy Burnham u takua me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Downing Street konfirmoi se negociatat për paketën kryesore të marrëveshjeve kishin përfunduar dhe se palët kishin rënë dakord për afatet e zbatimit të tyre.
Megjithatë, marrëveshjet do të duhet të kalojnë edhe procedurat përkatëse ligjore dhe institucionale përpara se të hyjnë në fuqi.
Sipas qeverisë britanike, synimi është të ulen kostot për bizneset dhe konsumatorët, të lehtësohet shkëmbimi tregtar dhe të krijohen mundësi të reja për të rinjtë, pa e rikthyer Britaninë në Bashkimin Evropian, në tregun e vetëm apo në bashkimin doganor.
Marrëveshja mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian parashikon lehtësimin e tregtisë së produkteve ushqimore dhe bujqësore, përmes reduktimit të kontrolleve kufitare dhe procedurave burokratike, me një përfitim të mundshëm prej 5.1 miliardë paundësh në vit për ekonominë britanike.
Një tjetër pikë kryesore është krijimi i një skeme që do t’u mundësojë deri në 100 mijë të rinjve nga secila palë, deri në moshën 31 vjeç, të jetojnë, punojnë ose studiojnë në territorin e palës tjetër për një periudhë deri në tre vjet, pa rikthyer lëvizjen e lirë.
Palët kanë rënë dakord gjithashtu për lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit, duke synuar shmangien e tarifave shtesë për produktet industriale si çeliku dhe alumini, ndërsa Londra vlerëson përfitimet deri në 3.8 miliardë paund në vit.
Megjithatë, zbatimi i paketës mbetet i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për tarifat universitare, pasi BE-ja kërkon që studentët evropianë të paguajnë të njëjtat tarifa si studentët britanikë, ndërsa Londra nuk e ka pranuar ende këtë kërkesë. Për këtë çështje, palët kanë lënë gjashtë muaj kohë për të vijuar negociatat, ndërsa miratimi formal i marrëveshjeve mbetet pezull.













