Në një fshat të harruar të rrethit të Vlorës, brenda një shtëpie ku llaçi i mureve ka filluar të bjerë nga lagështira, dita nis me të njëjtën meny prej viteve: pak bukë të thatë dhe disa feta sallam të lirë. Kjo është e gjithë rutina ushqimore e Mehmetit, një burrë 60-vjeçar i diagnostikuar prej dekadash me skizofreni, dhe nënës së tij që tashmë ka kapërcyer të 80-at.
Të dy jetojnë në një izolim pothuajse absolut. Mehmeti është ende i aftë të ecë deri te dyqani i lagjes apo të udhëtojë drejt spitalit rajonal për të marrë injeksionin e tij javor. Nëna e tij e moshuar bën aq sa mundet për të mbajtur pastër hapësirën e vogël ku jetojnë. Por fuqitë e saj po shterojnë çdo ditë e më shumë.
Për shtetin shqiptar, ekzistenca e Mehmetit përkthehet në një pagesë rimbursimi prej vetëm 8,000 lekësh të reja në muaj. Nëna e tij merr një pension pleqërie mjaft modest, më pak se 20,000 lekë, nga i cili pjesa më e madhe shpenzohet për ilaçet e saj të tensionit. Të dy e kanë të pamundur të punojnë dhe të dy mbijetojnë në kufijtë ekstremë të varfërisë.
Por pyetja më e dhimbshme për këtë situatë nuk është se çfarë do të hanë nesër, por çfarë do të ndodhë nesër: kush do të kujdeset për Mehmetin kur nëna e tij të mos jetë më?
Ligji për shëndetin mendor parashikon që familja, shërbimet shëndetësore dhe pushteti vendor të bashkëpunojnë me vetë personin për kujdesin që i duhet në shtëpi. Edhe një i rritur mund të përfitojë ndihmës personal kur komisioni i vlerësimit përcakton se kufizimet e tij funksionale janë të rënda ose të thella dhe se ka nevojë për këtë ndihmë. Për personat që përfitojnë sipas skemës së vlerësimit biopsikosocial, administratori shoqëror i bashkisë ka detyrë të hartojë çdo vit një plan individual shërbimesh dhe t’i vizitojë atje ku jetojnë të paktën një herë në tre muaj. Për një familje si ajo e Mehmetit, kjo është mundësia për të parë çfarë arrin të bëjë ai vetë, për çfarë e ndihmon e ëma dhe kush mund ta marrë përsipër atë kujdes kur asaj t’i shterojnë fuqitë
Rruga si i vetmi strehim dhe miti i “të sëmurit të dhunshëm”
Mehmeti nuk është një rast i izoluar. Ai është përfaqësues i një grupi të madh dhe jashtëzakonisht vulnerabël individësh që përballen me heshtjen e shoqërisë. Pa një rrjet mbështetës familjar dhe pa shërbime komunitare, shumë prej tyre përfundojnë duke u endur rrugëve të qyteteve.
Kjo prani e tyre në hapësirat publike shpesh perceptohet nga opinioni publik si një kërcënim për rendin dhe sigurinë. Ndërmjet viteve 2021 dhe 2025, të dhënat zyrtare tregojnë se janë regjistruar gjithsej 99 incidente apo sulme ku autorë dyshohet të kenë qenë individë me probleme të shëndetit mendor. Shifrat tregojnë një rritje progresive të të rasteve: nga vetëm 6 raste të raportuara në vitin 2021, shifra u ngjit në 44 raste në vitin 2025.

Në krahun tjetër, statistikat zyrtare regjistrojnë vetëm 8 raste gjatë të njëjtës periudhë ku persona me çrregullime mendore kanë qenë në pozitën e viktimës. Por ekspertët e shëndetit mendor dhe të drejtave të njeriut insistojnë se ky imazh është krejtësisht i deformuar.
“Perceptimi se personat me çrregullime psikike janë natyrshëm të dhunshëm është një stigmë e rrezikshme,” shpjegon Suela Lala, drejtuese e fondacionit “Së Bashku”. “Shanset që ata të përjetojnë dhunë fizike, psikologjike apo edhe seksuale nga të tjerët janë shumëfish më të larta se sa shanset që ata të ushtrojnë dhunë. Problemi është se këto raste nuk denoncohen kurrë, sepse këta individë nuk kanë as zë dhe as besueshmëri përpara institucioneve.”
Marjo është një i ri me çrregullime të zhvillimit dhe shëndetit mendor. Një vit më parë, rreth orës 1 të natës, ai po ecte i vetëm në rrugët e pandriçuara të lagjes së tij. Një makinë që po përcillte një vajzë ndaloi pranë tij. Kur vajza zbriti, u përball papritur me Marjon, i cili iu afrua duke bërë lëvizje të çregullta të duarve dhe duke nxjerrë tinguj të pakuptueshëm, një reagim i tij i zakonshëm në situata stresuese.
E trembur, vajza thirri për ndihmë. I dashuri i saj doli nga automjeti dhe e goditi egërsisht të riun. Fytyra e Marjos përfundoi e gjakosur në trotuar.
Kjo ngjarje nuk u regjistrua kurrë në polici. Marjo nuk është në gjendje të dëshmojë kronologjikisht ngjarjen, e aq më pak të përballojë një proces denoncimi.
Harta e deformuar e shërbimeve: Decentralizim vetëm në letër
Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë vitit 2025 kanë marrë shërbim spitalor psikiatrik mbi 28 mijë pacientë në të gjithë Shqipërinë. Fluksi më i madh i kërkesave për trajtim regjistrohet në kryeqytet, megjithëse në Tiranë numri i të shtruarve ka pësuar një ulje me rreth 400 raste krahasuar me vitin paraprak. Në Vlorë shifrat mbeten relativisht stabël, ndërsa Qarku i Shkodrës shënon nivelin më të lartë të pacientëve të shtruar në pesë vitet e fundit.

Por prapa këtyre shifrave fshihet një dështim i thellë strukturor në shpërndarjen e shërbimeve.
Në një qendër komunitare, personi mund të takojë psikiatrin, psikologun apo punonjësin social dhe të kthehet në shtëpi. Një shtëpi e mbështetur i ofron edhe një vend ku të jetojë gjatë rehabilitimit. Kur hartoi Planin e Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026, Ministria numëronte 10 qendra komunitare dhe 14 shtëpi të mbështetura. Në tetor 2025 u hap edhe qendra komunitare në Lezhë, për banorët e Lezhës, Kurbinit dhe Rrëshenit.
Në tetor 2025, ACQJ raportoi se 14 shtëpitë e mbështetura kishin gjithsej 160 vende dhe në to jetonin 142 persona. Katër shtëpi ndodheshin në Shkodër, tri në Vlorë dhe dy në Tiranë. Në qarkun e Tiranës, sipas Censit të vitit 2023, jetonte 31,6% e popullsisë së vendit.
Kur Spitali Universitar “Nënë Tereza” (QSUT) nuk mund të akomodojë raste të caktuara psikiatrike për shkak të mungesës së shtretërve, zgjidhja zyrtare e Ministrisë është transferimi i pacientëve drejt Shkodrës, më shumë se dy orë larg nga mjedisi familjar dhe social i pacientit.
Në vitin 2020, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara pyeti personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre për mbështetjen që merrnin. Ndër të anketuarit, 85,5% u shprehën se ishin pak ose aspak të kënaqur me shërbimet që u mundësonin të jetonin në mënyrë të pavarur.
Hendeku midis ligjit në letër dhe realitetit në terren
Në nivel teorik, Shqipëria ka përqafuar modelin evropian të “de-institucionalizimit”, një qasje që synon shmangien e shtrimeve të gjata në spitalet psikiatrike tradicionale dhe nxitjen e integrimit të pacientëve në komunitet përmes shërbimeve mbështetëse lokalizuese.
Për familjet, vështirësia nis kur mbyllet dera e spitalit dhe kujdesi duhet të vazhdojë në shtëpi.
“Sot kërkohet që shtrimet spitalore të jenë afatshkurtra për të parandaluar veçimin e individit nga shoqëria,” shpjegon më tej Suela Lala. “Por çfarë ndodh kur ky pacient del nga spitali? Ai kthehet te prindërit e tij të moshuar, pa asnjë shërbim kujdesi në shtëpi. Ndihmësi personal paguhet nga skema shtetërore me vetëm 13,000 lekë në muaj. Me këtë shumë është plotësisht e pamundur të gjesh një punonjës social apo kujdestar profesional. Si pasojë, barra i bie tërësisht familjes, dhe kur familja nuk ekziston më, individi braktiset në rrugë.”
Në Vlorë, për dhjetëra njerëz spitali ishte bërë shtëpi. Nga 89 pacientë rezidentë kronikë për të cilët Ministria e Shëndetësisë i dha të dhëna Kontrollit të Lartë të Shtetit, 80 kishin kaluar më shumë se dhjetë vjet në spitalin psikiatrik të Vlorës. Në Elbasan, rreth 142 pacientë kishin qëndruar po kaq gjatë. Në auditimin e vitit 2024, KLSH-ja vërente se shumë prej tyre e kishin përfunduar prej kohësh trajtimin që kërkonte qëndrimin në spital. Ajo që mungonte ishte një vend i përshtatshëm ku mund të jetonin me mbështetje.
Edhe vetë Bashkia Vlorë e ka evidentuar mungesën e shërbimeve për të rriturit. Gjatë hartimit të planit social 2025–2027, bashkia konstatoi se qendra e saj komunitare u shërbente fëmijëve me aftësi të kufizuara, ndërsa për të rriturit shërbime të tilla mungonin. Deri në dhjetor 2027, bashkia synon të ketë një ekip që shkon në banesat e personave që e kanë të pamundur të frekuentojnë qendrat. Sipas planit, prej tij pritet të përfitojnë rreth 45–50 persona.
Dr. Arjana Rreli, mjeke psikiatre, vëren se shumica e pacientëve që mbërrijnë në dyert e spitaleve psikiatrike e bëjnë këtë vetëm pasi sëmundja ka avancuar rëndë si pasojë e kalimit të viteve të tëra në heshtje dhe izolim.
“Problem mbetet mungesa e një ure bashkëpunimi mes sistemit shëndetësor, shërbimeve sociale, pushtetit vendor dhe komunitetit,” thekson Dr. Rreli. “Trajtimi i shëndetit mendor nuk mund të kufizohet vetëm te dhënia e një recete me medikamente. Kujdesi duhet të jetë gjithëpërfshirës. Përballja me sëmundjet kronike kërkon ngritjen e qendrave ditore ku këta persona mund të qëndrojnë gjatë ditës, të marrin terapi integruese dhe t’u japin frymëmarrje familjarëve të tyre. Qëllimi ynë nuk duhet të jetë thjesht mjekimi i simptomave, por ruajtja e dinjitetit dhe autonomisë së individit.”
Por gjendja e spitaleve ofron të kundërtën e asaj që sugjerojnë ekspertët.
Zyra e Avokatit të Popullit, ku funksinon Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës evidenton nga raportet e kryera ndër vite se ka mangësi në garantimin e të drejtave të pacientëve sipas legjislacionit të shëndetit mendor dhe standardeve ndërkombëtare.
Në spitalin Ali Mihali në Vlorë në një periudhë prej 5 vitesh, problemi i trajtimit të pacienteve konform legjislacionit në fuqi mbetet një problematik e cila zbatohet vetëm pjesërisht. Vihet re një mosplotësim i standardeve të trajtimit dhe moszbatim i rekomandimeve të lëna në inspektimet e mëparshme të kryera.
Trajtimi çnjerëzor është një shkelje e rëndë, e cila mund të vijë dhe si pasojë e stafit të pa trajnuar, përpos infrastrukturës së parregullt dhe mungesave në ilaçe.
“Spitali ishte pajisur rishtazi me rripa të kufizimit fizik dhe këmisha force si një domosdoshmëri për trajtimin me dinjitet të pacientëve, megjithatë ka nevojë që të organizohen trajnime të posaçme për mënyrën e përdorimit të tyre nga stafi mjekësor në rastet e nevojshme.”, shkruan raporti. Dhe në monitorimin e fundit të kryer në QSUT Tiranë, viti 2023, është dal në përfundimin se “situata vazhdon të jetë akoma më e rënduar në Pavijonin e Urgjencës si dhe në Ambientet Rehabilituese, kjo e cituar dhe në tre raportet e mëparshme te Avokatit të Popullit.”
Barra financiare që po falimenton familjet
Për nënën e Mehmetit, blerja e ilaçeve të tensionit është një shpenzim që përsëritet muaj pas muaji. Të dhënat për buxhetet familjare tregojnë sa peshë zë kjo faturë në të gjithë vendin. Sipas një analize të Bankës Botërore, në vitin 2023, nga çdo 100 lekë që familjet shqiptare paguanin nga xhepi për shëndetin, rreth 73 lekë shkonin për barna të blera në farmaci private.
Edhe pse organizata joqeveritare (si shoqata “Aftësi Ndryshe”) përpiqen të ofrojnë një listë shërbimesh, shkollash speciale dhe strehëzash në disa qytete kryesore, kapacitetet e tyre mbeten mjaft të kufizuara.
Një nënë që trajton djalin e saj me çrregullime të zhvillimit në një nga qendrat publike të Tiranës tregon koston e vërtetë të shërbimit falas:
“Djalin e ndjek në tre lloje terapish të ndryshme, por njërën prej tyre jam e detyruar ta paguaj në sektorin privat. Mbulimi nga shteti është një pikë uji në oqean. Në qendrën publike më ofrojnë vetëm dy seanca në javë nga 45 minuta. Nëse do ta bazoja ecurinë e tij vetëm me aq, ai nuk do të kishte bërë asnjë përparim. Për më tepër, listat e pritjes janë kaq të gjata saqë shpesh është e pamundur të marrësh qoftë edhe atë shërbim minimal.”
Kush kujdeset kur prindi nuk mundet më?
Në Itali, pyetja që shqetëson nënën e Mehmetit i ka dhënë emrin një ligji. “Dopo di noi”, ose “Pas nesh”, u miratua në vitin 2016 për personat me aftësi të kufizuara të rënda që kanë mbetur pa mbështetje familjare ose rrezikojnë ta humbasin atë. Përgatitja mund të nisë që kur prindërit janë ende gjallë. Një fond kombëtar financon kalimin gradual nga shtëpia prindërore në një banesë të mbështetur, mundësinë për të bashkëjetuar me të tjerë dhe ndihmën për të mësuar të përballosh më vete punët e përditshme.
Edhe Shqipëria ka parashikuar një hap të tillë. Plani i Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026 parashikonte dy apartamente të mbështetura, një në Tiranë dhe një në Kavajë. Në secilin do të mund të jetonin tre deri në katër persona që kishin kaluar më parë nëpër shtëpitë e mbështetura dhe po përgatiteshin të jetonin më vete. Objektivi i programit pilot ishte gjashtë deri në tetë përfitues gjithsej. Në Kosovë, një pjesë e punës së qendrave të shëndetit mendor kryhet në shtëpitë e pacientëve vetë. Gjatë vitit 2025, shtatë qendrat raportuan 5 750 vizita shtëpiake. Për familje si ajo e Mehmetit, këto vizita përshkruajnë një anë të kujdesit që numri i qendrave apo i shtretërve nuk e tregon dot. Sa shpesh një profesionist kalon pragun e shtëpisë?
Si vazhdon kujdesi përtej spitalit
Në Trieste të Italisë, kur një familje ka nevojë për ndihmë gjatë natës, mund t’i drejtohet edhe një qendre komunitare. Një prej këtyre qendrave, “Domio”, funksionon 24 orë. Mund ta kontaktojë vetë personi, një i afërm ose mjeku që e ndjek. Sipas nevojës, ekipi mund të shkojë në banesë. Për ata që kanë nevojë të qëndrojnë në qendër, ka gjashtë vende ku mund të kalojnë ditën ose natën.
Për dikë që kthehet në shtëpi pas një shtrimi, rëndësi ka edhe kush do ta ndjekë më tej. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, një program i mbështetur nga bashkëpunimi zviceran mblodhi në të njëjtat trajnime punonjës të spitaleve dhe të qendrave komunitare. Ata u trajnuan për të bashkërenduar kujdesin për secilin pacient, në mënyrë që puna e nisur në spital të vazhdonte edhe pas daljes. Sipas të dhënave të projektit, nga kjo mënyrë ndjekjeje përfituan 2 735 persona me çrregullime të rënda të shëndetit mendor.
Në Shqipëri, sulmi ndaj Marjos nuk u denoncua. Ajo që i ndodhi atë natë në rrugën e lagjes mbeti jashtë statistikave të policisë. Në fshatin ku jeton Mehmeti, një pjesë tjetër e jetës së përditshme është po aq e vështirë të dallohet në shifra. Dihet sa para merr ai çdo muaj dhe sa shpesh shkon në spital për injeksionin. Më pak duket puna që bën e ëma në shtëpi.
Mehmeti shkon ende vetë deri te dyqani. E ëma, që i ka kaluar të tetëdhjetat, mban shtëpinë pastër për aq sa e lejojnë fuqitë. Një pjesë e mirë e pensionit të saj shkon për ilaçet e tensionit. Në tryezë, prej vitesh, ka pak bukë dhe disa feta sallam.
Pyetja për të ardhmen e Mehmetit mund të shtrohet edhe më herët nga sa duket. Nëse një ditë nënës do t’i duhet të shtrohet vetë në spital, kush do të shkojë të nesërmen në shtëpi për të parë si është ai?/ Rexhina Papa, acqj.al












