Fermerët e ullirit këtë vit kanë sasi, por jo çmim.
Një litër vaj ulliri po shitet me 4 500 lekë të reja. Sipas fermerëve, ky çmim nuk mbulon as kostot e prodhimit, të cilat janë tepër të larta për fermerin shqiptar, krahasuar me kolegun e tij në rajon.
Por çmimi i lirë i vajit të ullirit nuk po tërheq klientët e mëdhenj, pronarët e marketeve, të cilët, përpara produktit “Made in Albania”, zgjedhin produktin e importit. Përballë kësaj krize tregtare, Shoqata e Prodhuesve të Vajit të Ullirit, AFI, kërkon që dogana shqiptare t’i vendosë traun vajit të ullirit të huaj.
“Marrjen e masës së menjëhershme të ndalimit të vajit të ullirit deri në fund të janarit”.
“Fermerët e ullirit gjithashtu kërkojnë që të vendosen rregulla edhe në tregti”.
“Të gjitha subjektet që kanë marrë mbështetje nga fondet publike në 5 vitet e fundit nga AZHBR-ja apo kanë marrë lehtësira fiskale si investitorë strategjikë etj., kanë detyrimin që deri në muajin qershor të blejnë vetëm vaj ulliri shqiptar të certifikuar sipas skemës së ndërtuar nga Ministria e Bujqësisë”.
Në rast të mosrespektimit të këtij rregulli, ndaj këtyre subjekteve do të merren 2 masa:
Për çdo blerje të vajit me origjinë jo shqiptare, ndaj tyre do të aplikohet një tarifë e barabartë me vlerën e blerjes së vajit të ullirit me origjinë jo shqiptare.
Subjektet që nuk respektojnë këtë masë emergjente për mbështetjen e fermerëve shqiptarë do të përjashtohen për 5 vjet nga çdo aplikim për marrjen e fondeve nga AZHBR-ja apo përfitimin e lehtësirave të tjera fiskale në kuadër të legjislacionit nxitës turistik.”
Në fund të deklaratës, ata kërkojnë që Ministria e Bujqësisë të ngrejë një task-forcë të përbërë nga fermerë të ullirit. Sipas fermerëve, nëse qeveria nuk ndërhyn për të mbështetur prodhuesit e këtij produkti, atëherë ata do të detyrohen të braktisin tokat shekullore të ullirit.
Top Channel