Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime u mblodh këtë pasdite nën drejtimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të shqyrtuar mundësitë dhe pengesat në bashkëpunimin mes sektorit publik dhe atij privat.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, Kurti e cilësoi këtë bashkëpunim si thelbësor për zhvillimin afatgjatë ekonomik të vendit, duke theksuar se nuk bëhet fjalë thjesht për një dëshirë, por për një domosdoshmëri ekonomike dhe shtetërore.
Të lidhura
None found
Sipas tij, roli i institucioneve është të garantojnë zbatimin e ligjit, një ambient të sigurt dhe kushte të barabarta për të gjithë, ndërsa bizneset duhet të kontribuojnë përmes investimeve, prodhimit, eksporteve dhe hapjes së vendeve të reja të punës.
Duke folur për ecurinë ekonomike, Kurti vuri në dukje se Kosova ka shfaqur qëndrueshmëri dhe kapacitet për zgjerim, pavarësisht vështirësive të brendshme dhe pasigurive në nivel global.
Ai bëri të ditur se vlera e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve ka tejkaluar pesë miliardë euro, ndërsa dërgesat nga diaspora kanë arritur një nivel historik prej rreth 1.4 miliardë eurosh.
Gjithashtu, rritja ekonomike gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti u regjistrua në 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Këto shifra, sipas kryeministrit në detyrë, reflektojnë gjallërinë e sektorit privat, besimin e investitorëve dhe lidhjet e forta të ekonomisë kosovare me mërgatën dhe tregjet ndërkombëtare.





