Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur të premten një takim të përbashkët të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve, ku është diskutuar për hapat e ardhshëm në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se javën e ardhshme pritet të prezantohen dy iniciativa: strategjia shtetërore për mbrojtjen në fazën e apelit dhe një iniciativë e re ligjore për Dhomat e Specializuara.


Sipas Çitakut, iniciativa ligjore do të mbështetet në tekstin që Kuvendi i Kosovës e miratoi në tetor, duke përfshirë edhe kontributet e PDK-së, ekspertëve dhe grupit punues.

Ajo ka vlerësuar se uniteti i partive parlamentare shqiptare në mbrojtje të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe të çlirimtarëve në Hagë ka rëndësi historike.

Çitaku ka falënderuar partitë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në trajtimin e kësaj çështjeje, të cilën e cilësoi si kauzë kombëtare.

Ajo ka riafirmuar se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit mbetet prioritet absolut i PDK-së.

"PDK do të angazhohet deri në fund që çlirimtarët të kenë mbështetjen e shtetit në çdo nivel, me mobilizimin e të gjitha kapaciteteve institucionale dhe me fonde të mjaftueshme për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm", thuhet në komunikatën e partisë.

Sipas PDK-së, synimi i këtyre angazhimeve është rrëzimi i aktgjykimit të shkallës së parë dhe fitorja e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit./Telegrafi/