“Shumë kanë hyrë në atë derë…”, Big Brother VIP rikthehet në dhjetor në Top Channel Princi Harry ka bërë një paraqitje të papritur në emisionin britanik “This Morning”, ku ka tërhequr vëmendjen me batutat, një gotë uiski të konsumuar drejtpërdrejt në studio dhe rrëfimet për jetën e tij familjare pas rikthimit në Britani.
I shoqëruar nga prezantuesit Alison Hammond dhe Dermot O’Leary, Duka i Sussex-it u shpreh se ndihet mirë që është sërish në vendlindje, duke theksuar se Britania vazhdon të mbetet shtëpia e tij, pavarësisht viteve që ka kaluar në Kaliforni, raporton Daily Mail.

“Është fantastike të jem sërish në tokën time. Po i shijoj edhe një herë ditët e ftohta të dimrit. Kur jeton jashtë dhe e sheh vendin nga larg, vëren shumë gjëra, por tani që jam kthyer, gjithçka më duket e njohur. Britania është shtëpia ime. Më kishin munguar dimrat”, u shpreh Harry.

Një nga temat ku princi u ndal më gjatë ishte jeta e fëmijëve të tij, Archie dhe Lilibet, pas zhvendosjes nga Kalifornia në Britani. Harry zbuloi se të dy janë përshtatur mirë me ambientin e ri dhe se shkollimi në Britani ka ndikuar dukshëm në rritjen e vetëbesimit të tyre.
“Vetëbesimi i të dyve është rritur jashtëzakonisht që kur kanë nisur shkollën në Britani. Është diçka vërtet e bukur”, tha ai.

Sipas tij, një nga ndryshimet më të mëdha për fëmijët ka qenë mbajtja e uniformës shkollore, ndërsa me humor shtoi se po përpiqet t’u largojë theksin amerikan.
“Po përpiqem t’ua heq theksin amerikan dhe miqtë e tyre në shkollë po bëjnë të njëjtën gjë”, u shpreh princi.
Paraqitja e Harry-t nuk mungoi as nga momentet argëtuese. Ai përqafoi njëkohësisht Alison Hammond dhe Dermot O’Leary, bëri shaka me ta dhe madje konsumoi një gotë uiski gjatë përgatitjes së një ëmbëlsire tradicionale për Krishtlindje.

Princi iu bashkua shefit të kuzhinës Phil Vickery për përgatitjen e kekut festiv, ndërsa tregoi se bashkëshortja Meghan dhe vjehrra e tij janë shumë të zonjat në kuzhinë. Ai tha se do t’ua linte atyre organizimin e menusë së Krishtlindjeve, ndërsa përmendi si mundësi gjelin e detit ose një gatim tradicional gumbo.

Duka i Sussex-it u pyet edhe për filmin e ardhshëm të James Bond dhe për zgjedhjen e Robert Pattinson në rolin e agjentit të famshëm britanik.
“James Bond, 100%. Dua të sigurohem që roli të jetë në duar të mira”, tha ai, ndërsa për Pattinson shtoi: “Mendoj se është fantastike, mezi pres ta shoh”.

Gjatë intervistës, princi foli edhe për aktivitetin që ka qenë në qendër të angazhimeve të tij vitet e fundit, Invictus Games, kompeticionin sportiv për ushtarakët dhe veteranët e plagosur, të sëmurë apo të lënduar. Harry u shoqërua në studio nga dy ish-pjesëmarrës të kompeticionit, Josh Boggi dhe Jules Bales, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe ndikimin që Invictus Games ka pasur në jetën e tyre.

“Invictus të jep një mundësi të re në jetë, të prezanton me alternativa të tjera për të rifituar vetëbesimin dhe besimin te vetja, si dhe për të kuptuar se për çfarë je vërtet i aftë”, u shpreh Harry.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të lojërave në Birmingham, duke kujtuar se spitali Queen Elizabeth i këtij qyteti ka trajtuar shumë ushtarë britanikë të plagosur në Irak dhe Afganistan.
Top Channel