Nga BBC
Një raketë ruse e tipit cruise ishte mes tre objekteve që shkelën hapësirën ajrore të Polonisë të premten në mëngjes. Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se incidenti nuk duket të ketë qenë aksidental, pasi në rajon po zhvilloheshin stërvitje ushtarake të vendeve perëndimore.
Nga incidenti nuk pati persona të lënduar dhe nuk raportohet për dëme materiale, por Varshava e cilësoi atë si një ‘provokim’ nga Moska.
Rusia nuk ka reaguar ende lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore polake, e cila ndodhi gjatë një prej sulmeve më të mëdha ajrore të Moskës ndaj Ukrainës që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë, në vitin 2022.
Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, bëri të ditur se raketa e tipit Kh-101 u rrëzua në një zonë rurale në Nowy Lipowiec, në juglindje të Polonisë, rreth 50 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Raketa, e projektuar për goditje me precizion, u rrëzua rreth orës 06:30. Një banore e zonës, Natalie Szponar, tha se po përgatitej të çonte fëmijët në shkollë kur dëgjoi një ‘fishkëllimë dhe një goditje të mbytur’.
Momenti i përplasjes u regjistrua nga një kamerë sigurie në një fermë. Autoritetet polake sqaruan më vonë se banorët nuk ndodheshin në rrezik.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, një tjetër raketë e dyshuar u rrëzua pranë Rudnik nad Sanem, në perëndim të vendit, ndërsa një dron me motor reaktiv u rrëzua në jug, pranë Mołodycz.
Kosiniak-Kamysz e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore si një ‘provokim’ nga Rusia dhe tha se do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi ‘shkeljet e rënda të hapësirës ajrore polake’ dhe bëri të ditur se avionët luftarakë të Aleancës ishin ngritur në ajër në përgjigje të incidentit.
‘Ky incident është qartësisht i rrezikshëm dhe është pasojë e luftës së vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës’, deklaroi Rutte, i cili pritet të vizitojë Varshavën të shtunën.
Stërvitjet ushtarake të aleatëve të Ukrainës në Poloni
Në juglindje të Polonisë po zhvillohet aktualisht stërvitja ushtarake Koalicja 2026, e udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca. Në të marrin pjesë 11 vende të grupit perëndimor ‘Koalicioni i të Gatshmëve’, në kuadër të përgatitjeve për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.
‘Këto objekte nuk ranë rastësisht pranë vendit ku po zhvillohen manovrat ushtarake të Koalicionit të të Gatshmëve, të mbështetura nga trupat polake, në Nowa Dęba’, u shpreh Tusk për gazetarët të premten.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, i cili ndodhej në Poloni të premten, deklaroi se pasojat e luftës së paligjshme të Rusisë po ndihen në të gjithë Ukrainën dhe gjithnjë e më shumë edhe në vendet fqinje.
Edhe kryeministri britanik, Andy Burnham, e cilësoi incidentin si ‘krejtësisht të papranueshëm’.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, shprehu ‘solidaritetin e tij të fortë’ me popullin polak dhe tha se Rusia duhet të ulet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Shkeljet e hapësirës ajrore polake ndodhën një ditë pas samitit të Koalicionit të të Gatshmëve në Berlin, ku morën pjesë 40 vende dhe aleatët u zotuan të vazhdojnë mbështetjen për Kievin. Në këtë takim, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se bisedimet e paqes me Rusinë duhet të zhvillohen së shpejti në një territor neutral.
Lufta në Ukrainë po prek edhe vendet fqinje
Të paktën tetë persona u vranë të premten gjatë sulmeve me raketa dhe dronë të Rusisë në Ukrainë. Sulmet goditën tri ura të Kievit mbi lumin Dnipro dhe një stacion në Lviv.
Kjo ndodhi disa ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kërcënoi me ‘hakmarrje të dhimbshme’ pas sulmeve të përsëritura ndaj urës mbi ngushticën e Kerçit, që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar.
Ky nuk është rasti i parë kur lufta në Ukrainë shtrihet përtej kufijve të saj dhe prek Poloninë. Në korrik, një raketë e tipit cruise u rrëzua gjithashtu në territorin polak, duke krijuar një krater me gjerësi 10 metra. Edhe ai incident ndodhi gjatë një sulmi rus ndaj qytetit ukrainas të Lvivit.
Viktimat në territorin polak kanë qenë të rralla, ndërsa Ukraina përballet çdo ditë me sulme vdekjeprurëse. Në nëntor të vitit 2022, dy fermerë polakë u vranë nga një raketë, e cila besohet se ishte lëshuar nga mbrojtja ajrore ukrainase në përgjigje të një sulmi rus.
Edhe Moldavia njoftoi të premten se hapësira e saj ajrore ishte shkelur nga një dron, i cili kaloi për një kohë të shkurtër në territorin e saj gjatë sulmeve ruse ndaj Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Moldavisë ka regjistruar 118 shkelje të tilla që nga nisja e pushtimit rus në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.
© SYRI.net