Prej disa javësh, Autoriteti i Mediave Audiovizive është bërë veçanërisht aktiv në censurimin e televizioneve që transmetojnë debate me tone të ashpra. Gjobat dhe tërheqjet e vëmendjes janë bërë aq të shpeshta, sa krijohet përshtypja se AMA po shndërrohet në një instrument të censurës politike dhe në një rregullator moral të debateve, ku një lloj arbitri mbi palët gjykon se çfarë është e drejtë dhe çfarë nuk është e drejtë të thuhet në televizion.
Ne besojmë se një gjykim i tillë nuk duhet t’i takojë një organi si AMA, i cili, ndonëse formalisht i pavarur, në të vërtetë është shprehje e Kuvendit dhe, rrjedhimisht, e një shumice politike. Nuk mund të kalojë pa u vënë re se ky zell ndëshkues përkon me një periudhë pritjeje institucionale, gjatë së cilës Armela Krasniqi, ish-zëdhënëse e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarja e AMA-s, e ka mandatin të përfunduar dhe shpreson të rikonfirmohet në detyrë.
Është e çuditshme që, ndërsa mbi 130 drejtues të institucioneve publike janë detyruar të japin dorëheqjen për t’iu nënshtruar shqyrtimit nga një komision që do të analizojë punën e tyre, Krasniqi, megjithëse me mandat të përfunduar, ka qëndruar në detyrë.
Megjithatë, çështja nuk është e ardhmja e Armela Krasniqit, por pavarësia e saj në gjykim. Sa e paanshme mund të jetë një kryetare që shpreson të riemërohet?
Dhe përse AMA herë gjobit ose u tërheq vëmendjen drejtuesve të emisioneve që nuk distancohen nga shpifjet apo nga tonet e ashpra në studio, ndërsa herë të tjera mbron shpifjet e vetë drejtuesve të emisioneve, duke i konsideruar ato si ushtrim të lirisë së shprehjes?










Komente
Komento