Një 34-vjeçar dyshohet se kërcënoi me thikë një taksist dhe i mori paratë e telefonin, ndërsa dy të rinj u kapën në Portin e Durrësit me fara dhe lëndë të dyshuar narkotike kanabis.
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit në kuadër të dy operacioneve të zhvilluara për goditjen e vjedhjes dhe veprimtarisë së paligjshme me lëndë narkotike.
Në operacionin e koduar “Reagimi”, në pranga ka rënë një 34-vjeçar me inicialet Xh. S., i dyshuar për grabitjen e një taksisti, të cilin e ka kërcënuar me mjet prerës në lagjen nr. 14 të qytetit.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, kur 34-vjeçari dyshohet se ka kërcënuar taksistin 30-vjeçar, me inicialet A. Q., duke i marrë celularin, një shumë parash dhe çelësin e automjetit.
Pas denoncimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë ushtruar kontrolle në zonë dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit brenda një kohe të shkurtër.
Ndërkohë, në një tjetër operacion, të koduar “Yellow Line”, Policia ka arrestuar dy të rinj në Portin e Durrësit, të dyshuar për transportimin e farave dhe lëndëve narkotike.
Në pranga kanë rënë shtetasit D. Z., 27 vjeç, dhe E. K., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të një furgoni, me drejtues 27-vjeçarin dhe pasagjer 24-vjeçarin, efektivët e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Narkotikëve dhe autoritetet doganore, kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme farash të dyshuara kanabisi, një sasi lënde të dyshuar narkotike të së njëjtës lëndë, si dhe një shumë parash.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar farat dhe lënda e dyshuar narkotike, paratë, furgoni dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale për të tre të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.

