Raketat ruse shkelin hapësirën ajrore polake, Varshava: Provokim nga Moska
Polonia akuzon Rusinë për shkeljen e hapësirës së saj ajrore, pasi tre mjete fluturuese, mes tyre një raketë kruiz e tipit Kh-101, hynë në territorin polak të premten, gjatë sulmeve masive ruse ndaj Ukrainës.
Sipas ministrit polak të Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, raketa ra në një zonë rurale pranë Nowy Lipowiec, rreth 50 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Ndërkohë, një tjetër raketë e dyshuar u rrëzua pranë Rudnik nad Sanem, ndërsa një dron me motor reaktiv u gjet në jug të vendit. Nga incidentet nuk pati viktima apo dëme materiale.
Kryeministri polak, Donald Tusk, deklaroi se ngjarja nuk dukej të ishte aksident, duke theksuar se shkeljet ndodhën pranë zonave ku po zhvilloheshin stërvitje ushtarake perëndimore. Varshava e cilësoi incidentin si provokim nga Moska dhe paralajmëroi se do t’i kërkojë NATO-s mbështetje shtesë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dënoi shkeljen e hapësirës ajrore polake dhe konfirmoi se avionët e Aleancës u ngritën në ajër në përgjigje të incidentit.
/vizionplus.tv




