Shërbimet daneze të inteligjencës kanë arritur të parandalojnë një atentat të planifikuar ndaj një shtetasi amerikano-ukrainas, në një operacion që dyshohet se ishte organizuar nga shërbimet sekrete ruse. Ngjarja është zbuluar pas hetimeve për një komplot të parandaluar në shtator, ku objektiv ishte reperi ukrainas Kyivstoner. Atentati ishte planifikuar të kryhej më 25 shtator, gjatë një koncerti në periferi të Kopenhagës.

Sipas vlerësimeve të autoriteteve daneze, inteligjenca ruse kishte përfshirë në planin e saj persona të lidhur me botën kriminale në Danimarkë, të cilët do të shërbenin për realizimin e atentatit. Kreu i Shërbimit Danez të Inteligjencës dhe Sigurisë (PET), Rasmus Kiefer-Christensen, deklaroi se institucioni ka arritur në përfundimin se pas organizimit të sulmit qëndronin shërbimet ruse të inteligjencës.

Rasti ka ngritur shqetësime për aktivitetet e dyshuara të Moskës në territorin evropian dhe përdorimin e rrjeteve kriminale për të realizuar operacione të fshehta. Autoritetet daneze e konsiderojnë ngjarjen një tregues të rrezikut që paraqesin përpjekjet e shërbimeve të huaja të inteligjencës për të organizuar atentate brenda vendit.